24 orë pa asnjë fluturim në Rinas, Prokuroria bën lëvizjen e menjëhershme

158

Ka marrë tjetër rrjedhë situata skandaloze e krijuar një ditë më parë nga kontrollorët ajrorë, të cilët bojkotuan punën duke bërë që aeroporti i vetëm në Shqipëri të mbyllet.

Mësohet se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor  Tiranë ka filluar hetimet për situatën e ndodhur në aeroportin e Rinasit, pas kallëzimit nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me shpërdorimin e detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes se ndodhur.

Po vijojnë veprimet hetimore në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Aeroporti i vetëm në Shqipëri prej mëngjesit të djeshëm është në kaos total, pasi nuk mund të realizohet asnjë fluturim, si në hyrje dhe dalje, përpos atyre që kalojnë në hapësirën ajrore të vendit tonë. Shkak është bërë greva e kontrollorëve që akuzojnë se u është ulur paga për shkak të pandemisë prej vitit të kaluar.

Përmes Sindikatës, avokatit, por edhe vetë drejtpërdrejt ata deklarojnë se nuk do të tërhiqen deri në momentin që do të shfuqizohet vendimi që u ul pagat. Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën dhe Ilir Metën se qëndron pas bllokimit të Rinasit, ndërsa kontrollorëve u vendosi ultimatum që të rikthehen në punë deri nesër, në të kundërt do të largohen.

Ministrja Balluku e cilësoi veprimin e kontrollorëve grusht shteti dhe pasditen e sotme dërgoi në Rinas ushtrinë dhe policinë për të marrë në dorë kullën e kontrollit me argumentin se është objekt me rëndësi të veçantë.