25 prilli/Fatmir Mediu: Basha mos na lërë në qoshe, duam vendin që na takon! Mund të dalim edhe me LSI-në

99

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu duke folur mbi prezantimin e 36 kandidatëve të Partisë Republikane për qarkun e Tiranës, ka theksuar se ky nuk është një presion që i bëhet  lidershipit të Partisë Demokratike.

Megjithatë, sipas Mediut,  është kusht i panegociueshëm përkthimi i peshës elektorale të Partisë Republikane në kandidatë për deputetë.

“Nuk është presion por e domosdoshme që Partia Republikane të ketë kandidatët e saj në të gjithë vendin. Ne jemi ende në negociata dhe nëse nuk biem dakord Partia Republikane duhet të ketë patjetër kandidatët e saj në të gjitha qarqet. Sot isha me Bashën edhe ai ka të njëjtën bindje me mua që çdo subjekt politik duhet të ketë kandidatët e tij për të marrë vota. Nëse votat që siguron PR garantojnë një mandat atëherë kjo vlen. Ne kërkojmë që pasha të vlerësoj peshën e kandidatëve të Partisë Republikane në qarqe të ndryshëm dhe në bazë të kësaj peshe elektorale të vendoset dhe pesha e PR në listë dhe kandidatë. Unë jam në negociata për marrëveshje që do të sjellë fitoren, por jo që të bëjmë pazare se kush është qoshja e Fatmir Mediut. Ne jemi në fazë negocimi se kush janë hapësirat që krijojnë mundësi për të fituar. PD duhet të respektojë peshën e PR-së dhe në pazë të saj të respektohet edhe pozicioni i kandidatëve republikanë”, shprehet Mediu për Report Tv.

Mes batutave në lidhje me bërjen e vaksinës antiCOVID, Mediu theksoi se ai nuk ka asgjë personale me Ramën dhe se është gati edhe të pijë kafe me të, pasi kundërshtarin politik nuk e shikon si armik.

“Unë do e bëj vaksinën, nuk kam frikë nga teoritë konspirative me vendosje çipi. Në raport personal nuk kam asgjë me Ramën, mund edhe të pi kafe me të. Unë kundërshtarin politik nuk e shoh si armik, nuk e kam zgjedhur unë Ramën, por socialistët”, tha Mediu.

Mediu nuk përjashtoi as mundësinë që me LSI-në PR të dalë në disa qarqe edhe me kandidatë të përbashkët, por la të paqartë se kush do të jetë udhëheqja e listës.

“PR kërkon që të fitohen zgjedhjet me në krye PD-n, por kërkohet respekt reciprok. Është më mirë një kandidat që është i vlefshëm për të dyja partitë se një kandidat i imponuar. Unë ofroj shqyrtimin e njerëzve që ofron PR dhe atyre që ofron PD. PR ofron në këtë koalicion votat e saj dhe burimet e saj njerëzore. Unë jam më i prirur që të kandidohet kandidati më i mirë, qoftë nga PD apo nga PR. Qëllimi i partisë Republikane është largimi i Edi Ramës. Me LSI-në mund të dalim në disa qarqe me kandidatë të përbashkët, ashtu siç mund të dalim edhe me PD-në. Ndërkohë në disa zona të dy koalicionet mund të dalin me kandidatë të përbashkët për të maksimizuar votën”, tha Mediu për Report Tv.