25 prilli/Fatmir Mediu: Jam takuar me Bashën, por marrëveshje bëj vetëm me PD-në. Ndryshe, dalim të vetëm në zgjedhje

75

Në një kohë që Partia Demokratike është drejt finalizimit të marrëveshjes me disa prej aleatëve të saj, si PDK, LZHK dhe PAA, arritja një dakordësie me Partinë Republikane mbetet ende e papërfunduar, për të garuar së bashku në zgjedhjet e 25 prillit.

Duke folur në një intervistë për ‘Descript.al’, mbi përpjekjet e arritjes së një marrëveshje me Partinë Demokratike, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi se akordi midis palëve nuk është çështje emrash, por një dakordësi midis Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike.

Mediu shpjegoi se është takuar me z. Basha dhe ka diskutuar në parim me të, por sipas tij është grupi negociator midis palëve që do të vendosë për të shkuar në zgjedhje me një listë të përbashkët ose jo.

Ai shtoi se nëse nuk do të arrihet një marrëveshje me Partinë Demokratike, Partia Republikane do të shkojë e vetme në zgjedhje, duke përjashtuar çdo koalicion tjetër elektoral.

Intervista: 

Z. Mediu, ju keni prezantuar 36 kandidatët e Partisë Republikane për qarkun e Tiranës, a është ky një ‘presion’ ndaj Partisë Demokratike për të dalë me listë kandidatësh të përbashkët për zgjedhjet e 25 prillit?

Duhet të arrijmë në një kuptim të përbashkët që të gjithë. Nëse një parti politike nuk është e përgatitur për të dalë e vetme në zgjedhje, kthehet vetëm në  një barrë për koalicionin. Kështu që Partia Republikane po përgatitet si parti më vete. Shpresoj që të kemi një rezultat pozitiv për koalicionin dhe në këtë rast kandidatët e Partisë Republikane edhe ata që përfshihen në lista, edhe ata që nuk do të jenë të përfshirë në listë do të jenë pjesë aktive e fushatës. Pra, është pararoja e fushatës elektorale të koalicionit. Ndërkohë nëse do të dalim më vete, padyshim që janë kandidatë të Partisë Republikane. Nuk bëj presion kurrkujt, dhe s’kam opsion përveçse marrëdhënie mirëkuptimi.

Cilat vende në listë synon Partia Republikane për të garuar në këto zgjedhje?

Unë mendoj se mënyra se si bëhen koalicionet bazohen në dy kritere, kriteri i parë është pesha elektorale e partive politike, duke iu referuar një palë zgjedhjeve ose një mesatare të zgjedhjeve në tërësi. Dhe qark pas qarku, tregohet se cila është pesha politike e secilës parti dhe sipas peshës politike përcaktohet edhe vendi në listë. Puna është se kush do të jenë njerëzit që do të kandidojnë? Dhe këtu padyshim, në marrëdhënien që ne kemi me Partinë Demokratike prej 30 vitesh, për mua e rëndësishme është që të gjejmë njerëzit e duhur, qofshin demokratë apo republikanë për të kandiduar që të jenë të koalicioneve. Për mua i kujtdo partie të jetë kandidati i koalicionit është njëkohësisht kandidat i Partisë Republikane, por pesha elektorale vlen sepse unë nuk mendoj që bëhet një marrëveshje me Fatmir Mediun, bëhet një marrëveshje me Partinë Republikane. Një marrëveshje me Fatmir Mediun do të krijonte probleme për të thithur gjithë votat e Partisë Republikane, një marrëveshje me Partinë Republikane do të maksimalizonte votat për koalicionin.

A keni negociuar me z. Basha ditën e sotme për të shkuar në një listë të përbashkët? Dhe nëse po cili ka qenë reagimi i z. Basha?

Nuk kam negociuar me z. Basha. Ka një grup negociator të Partisë Demokratike ku i kemi parashtruar qëndrimet dhe opsionet tona. Presim një qëndrim nga ana e grupit negociator, dhe ndoshta do të diskutoj edhe me z. Basha. E kam takuar, kemi diskutuar në parim, por nuk kemi diskutuar për çështje konkrete sepse besoj që janë atribut i grupit negociator.

Ndërkohë që aleatët e tjerë e kanë mbyllur marrëveshjen me Partinë Demokratike, cila do të jetë lëvizja juaj për të arritur një marrëveshje me Partinë Demokratike?

Kur thoni që duhet një marrëveshje me PD-në, nuk mendoj se doni një marrëveshje të Fatmir Mediut me PD-në, por një marrëveshje me Partinë Republikane. Lëvizja është vetëm marrëveshje e Partisë Republikane me Partinë Demokratike.

A do dilni me kandidatë të përbashkët me LSI-në, në zgjedhjet e 25 prillit, duke qenë se është edhe një ofertë e shprehur publikisht nga ana juaj?

Ne jemi brenda një koalicioni të përbashkët. Partia Republikane ka një koalicion prej 30 vitesh me Partinë Demokratike. Nuk ka qenë nga ato që kapërcen sa këtej-andej. Ka pasur qëndrueshmërinë e vet, ndoshta shumë më tepër se shumë parti politike. Në këtë pikëpamje, ne kemi një iniciativë për të bërë koalicion me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera me Partinë Demokratike. Dhe nëse nuk do të ketë një koalicion të tillë atëherë Partia Republikane do të ecë e vetme në zgjedhje.

Intervistoi: B. Quku