Aman një Twitter ambasadorja Kim!

84

Protestat e një grupi të rinjsh, të cilat tejkaluan çudinë që në Shqipëri nuk zgjat më tepër se 2 ditë e gjysmë, gradualisht po “e shndërrojnë” opinionin publik, nga duartrokitës, në të bezdisur. Në fakt, shumëkush kërkon pak më tepër optimizëm në këto ditë të fundit të Vitit, kur presim pak më shumë shkëlqim, urime, më pak raste të prekurish nga COVID-19 dhe ndonjë shpërblim pensionistësh. E kështu, të telendisur në emocione, gjendje shpirtërore, në kuletë e në detyrime financiare, jemi aq të lodhur, sa nuk kemi më nerva, edhe për këto gjëra. Por kjo është e bukura: se na ezaurohet gjendja shpirtërore për 5 ditë protestash, e nuk “duam” të merremi me 360 ditët gjatë të cilave ka ndodhur pikërisht ky ezaurim.

Ohu, këta dava drogaxhinjsh që nuk kanë çfarë të bëjnë, shkojnë e prishin zbukurimet e qytetit!

Nuk duam të mendojmë se pikërisht këta 18 vjecarë, nuk është se kanë dëshirë të përplasen me policinë, të provojnë pranga, gaz, ujë akull e shkopinj kokës. Nuk është se ata nuk kanë çfarë të bëjnë, se nuk duan të bëjnë…pooor mbase se nuk kanë c’të bëjnë.

Megjithatë, këta dreqër të vegjël, nuk po thyejnë asnjë xham ne ambiente biznesi e privatësh. Nuk “po e hanë”, që të prishin ambiente të tjera, por e kanë vetëm me institucionet e shtetit. Ama vetëm dalin rrugëve, e nuk kanë ndërmend të ndalen.

Ej, çna ka gjet! Ikni ore të paudhë, na lini rehat të hamë atë gjysmë gjeli që na bie të blejmë sivjet. Ja të flasin edhe ambasadorët, e ta thonë troç si është puna, se shumë po e zgjasin.

Aman o Zonja Kim, na e bëj një twitter, që ta kuptojnë të gjithë çfarë po ndodh, e të ikin në shtëpi mendjembledhur! Se na lodhën!

/Descript.al-Paracetamoli/

*Kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta