Atentati në Tiranë, Lleshaj: Nuk e jap dorëheqjen, s’kam thënë që policia ka dështuar

34

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qënë këtë të mërkurë në qytetin e Elbasanit ku ka prezantuar Forcën e re të Posaçme “Shqiponjat”në këtë qytet.

Ministri gjatë fjalës së tij ka përmendur edhe ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku Preng Gjinit iu bë atentat me eksploziv në makinë.

I pyetur nga gazetarët lidhur me ngjarjet kriminale të ndodhura përgjatë ditëve të fundit dhe referuar deklaratës së bërë prej tij një natë më parë se policia ka dështuar, Lleshaj ka akuzuar se deklarata është keqpërdorur.

“Jo s’kam thënë që ka dështuar policia. Mundohuni të kuptoni drejt. Policia jo vetëm që s’ka dështuar por po kryen detyrën me profesionalizëm dhe sukses në gjithë vendin. Sigurisht kjo nuk do të thotë që ngjarje nuk mund të ndodhin se ndryshe nuk do kishim as polici”,- është shprehur ministri, teksa ka theksuar se nuk do të japë dorëheqjen, madje ka bërë thirrje për angazhim të të gjitha strukturave për të zbardhur atentatin e nga Preng Gjinit mbrëmjen e të martës.