Atentati te ‘Vasil Shanto’ / Gazetarja investigative: Ishte mesazh për të gjithë! Ja gjendja shëndetësore e shënjestrës

39

Shënjestra e atentatit të ndodhur një natë më parë, Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur rëndë në zonën e “Vasil Shantos”, vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas bluzave të bardha, për shkak të plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në makinën tip ‘Mercedez-benz A Class’ të Gjinit, gjendja shëndetësore e 51 vjeçarit vijon të jetë kritike.

Policia ndërkohë ka vijuar me veprimet hetimore në lidhje me këtë ngjarje dhe deri më tani ka vetëm persona të shoqëruar si të dyshuar.

Ndërkohë në makinën ku ndodhej 51 vjeçari nuk është gjetur asnjë mjet identifikues as letrat e automjetit dhe asnjë identifikim.

Identifikimi i tij është bërë vetëm përmes shenjës së gishtave.

Gazetarja investigative, Anila Hoxha:

Gjithashtu në lidhje me atentatin e ndodhur një natë më parë në vendin tonë ka folur edhe gazetarja investigative, Anila Hoxha, e cila është shprehur se atentati i djeshëm nuk ishte vetëm për t’i dhënë një mesazh shënjestrës por ishte edhe një mesazh për të gjithë.

“Dita e djeshme ishte shumë e vështirë për të gjithë, Preng Gjini personazhi dhe shënjestra është një person që ruhej, ishte një personazh dhe fakti që kishte humbur familjarë në qytetin e origjinës është një mundësi. Atentati ndaj Kastriot Reçit në Rrëshen që u vra me silenciator. Ndonëse autoritetet mendonin se po i afroheshin identifikimit të autorit që dyshohej se ishte nga Kosova, duket se sërish një gjë e tillë nuk u arrit. Gjini ishte një person që duhej të mbahej nën vëzhgim kjo mund të sillte dhe një parandalim. Krimet me lëndë plasëse nuk përdoren vetëm për shënjestrën e atentatit, por edhe për të dhënë mesazhe. Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Ikonomi në Vlorë me lëndë eksplozive në mes të qytetit bregdetar siç ndodhi dhe me atentatin e djeshëm, nuk ka qenë vetëm eliminimi i shënjestrës, por edhe për të dhënë një mesazh. Mes të plagosurve është një fëmijë 14 vjeç i dëmtuar lehtë dhe një shtetas italian. Frika dhe drama që ngelet është te të gjithë ato kalimtarë që ndodheshin aty. Pasojat tashmë nuk janë vetëm për shënjestrën por për të gjithë ato që ishin aty”, ka thënë në fjalën e saj gazetarja Anila Hoxha