Ballkan Pazar

86

Disa televizione, edhe kombëtare madje, po japin në mënyrë ekzaktësisht të njëjtë, çfarë bisedoi kryeministri Rama, fillimisht me presidentin turk Erdogan, e më pas me kryeministrin grek Micotaqis.

Për dreq, para se të përshkruajnë ekzaktësisht njëlloj përmbajtjen, thonë se takimet ishin tek e tek, por burime nga takimi thonë që Rama ka ndërmarrë një tur pajtimi mes dy vendeve. Pakkush e kupton në fakt, përse Ramës ia tjetërsojnë emrin në Burim, sepse në një takim gjoks më gjoks (sic mund të përkthehet në albanisht tet a tet), burimi i vetëm mbetet kryeministri ynë.

Ndërsa për njerëzit më tepër tifozë sesa logjikë, Rama ka hyrë në bisedime mes 2 vendeve, për të dhënë zgjidhje historike. Mosha e trete veçanërisht, është shumë e ngeshme për të dëgjuar e besuar gjithçka. Madje për xha Taipin, nëse ndërmjetësimi arrihet dhe puna e kufijve mes Turqisë dhe Greqisë, zgjidhet, atëherë ne do të kemi më shumë shtëpi të ndërtuara nga Turqia, madje mund të marrim edhe disa vaksina anticovid falas nga Vëllai i madh. Për të mos shkuar pastaj tek ndonjë “oaz” personal për pushime.

Por xha Micua, që punët e grekut i di mirë, ka mendimin që Rama po fal 12 miljet në Jon, për të hapur vitin tjetër negociatat, por edhe për ta bërë shembull, ose precedent sic thuhet në politike. Në këtë mënyrë, nëse Gjykata e Hagës trajton çështjen e kufijve mes Shqipërisë e Greqisë, mund të caktojë edhe problemet mes Turqisë e Greqisë, madje edhe mes Greqisë dhe Qipros.

Për ta bindur xha Taipin, xha Micua i kujtoi atë estradën e Durrësit, ku dy tregtarë joligjorë, kërkonin të shkëmbenin një kërriç jetim, me një maçok me çizme…ose një qen me lesh, me një majmun cirku.

Në bisedën e tyre, shit e blij, asnjëri nuk e vuri re që kishte ardhur ora policore, e cila i detyroi të bënin të ashtuquajturin vrap, për në shtëpi.

Ndërkohë televizionet kombëtare, transmetuan të njëjtin lajm, me të njëjtën renditje, me të njëjtin burim…ose Burim, më saktë./Descript.al-Paracetamoli/

*Kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta