BE do të sanksionojë katër rusë për burgosjen e Navalnyt, përfshirë edhe prokurorin

46

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord për të vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë rusë pranë Presidentit Vladimir Putin në një përgjigje kryesisht simbolike ndaj burgimit të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Marrëveshja, e cila pritet të miratohet zyrtarisht nga BE në fillim të marsit, erdhi pasi Franca, Gjermania, Polonia dhe vendet Balltike nxitën bllokun me 27 anëtarë që t’i dërgojë një mesazh Putinit se debati dhe protesta duhet të lejohen në Rusi, raporton Reuters.

Navalny u arrestua pasi u kthye në Moskë muajin e kaluar nga Gjermania, ku ai ishte duke u shëruar nga një helmim gati fatal në Siberi me atë që kombet perëndimore thanë se ishte një agjent nervor. Arrestimi i tij shkaktoi protesta në të gjithë Rusinë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se u mor vendimi për të vazhduar me sanksione shpejt, por nuk dha detaje.

“Marrëdhëniet me Rusinë janë sigurisht në një nivel të ulët, nuk ka asnjë fjalë tjetër për të,” tha Maas.

Një diplomat i BE-së tha se ndalimet e reja të propozuara të udhëtimit dhe ngrirja e aseteve do të synojnë, ndër të tjerët, Alexander Bastrykin, Komiteti Hetimor i të cilit merret me hetimet për krime të mëdha dhe raporton drejtpërdrejt te Putin.

Bastrykin është tashmë nën sanksionet e Britanisë për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu në shënjestrën e sanksioneve, tha diplomati, është edhe Igor Krasnov, i cili u bë prokurori i përgjithshëm i Rusisë një vit më parë.

Zyrtari i tretë në listën e sanksioneve është Viktor Zolotov, kreu i Gardës Kombëtare të Rusisë, i cili kërcënoi publikisht Navalny me dhunë në shtator 2018. Njeriu i katërt i përmendur nga diplomati është Alexander Kalashnikov, kreu i shërbimit federal të burgjeve.

Sanksionet do të vendosen nën një kornizë të re që lejon BE-në të marrë masa mbi shkelësit e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, u tha gazetarëve shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ai tha se shpresonte që sanksionet të ishin gati për rreth një javë.

BE ka sanksionuar tashmë gjashtë rusë dhe një qendër shtetërore kërkimore shkencore në përgjigje të mënyrës se si u trajtua Navalny.

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.