Bujar Nishani: Basha humbës i përsëritur, Ramën s’e mund dot as për 18 vite. PD duhet të reformohet

96

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD Bujar Nishani ka kërkuar sërish dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas Nishanit, nëse Basha vijon të qëndrojë në krye të partisë, vendi rrezikon të mbetet pa alternativë qeverisëse ndërsa theksoi se humbjet e njëpasnjëshme janë rezultate që nuk i ka prodhuar asnjë kryetar partie më parë.

“Duhet marrë përsipër humbja. Kjo është një kulturë për të cilët duhet të kultivojmë veten tonë dhe pastaj kur të jemi përballë të tjerëve do të veprojmë me të njëjtin standard. Pati një qëndrim nga Basha i cili refuzoi të merrte përgjegjësinë politike, konstatoi se ishin humbur zgjedhjet.

 Në momentin kur Basha doli dhe konfirmoi humbjen dhe nuk mori asnjë përgjegjësi por nënvizoi faktin se do të vazhdonte të mbante të njëjtin temp dhe model. Atëherë është detyra e kujtdo në PD për të vënë alarmin pasi rrezikojmë të mbetemi pa alternativë qeverisëse. Mund të kesh opozitë formale por nuk ke alternativë qeverisëse.

Problemi është se duhet të ketë një projekt që ta mundë Edi Ramën dhe jo ta ndryshojë atë. Mendoj që në 8 vite Basha nuk arriti të përmbushte projektet e tij për të rrëzuar Ramën. Nuk do arrijë as në 18 vite. Basha duhet të japë ndihmesën që në PD të nisë një projekt i ri. Kjo vjen kur kryetari merr përgjegjësinë politike”, deklaroi Nishani i ftuar në emisionin ‘Përballë’ në RTSH.