Çdo Hero meriton Përmendoren e tij!

49

Nga Edmond Stojku/Është e padiskutueshme që vitin e fundit e kemi kaluar në luftë. Ndoshta jo një luftë me armë dhe ushtarë, me të cilat jemi mësuar të asociojmë fjalën luftë.

Lajmet duken pozitive, duke qenë se flitet se një vaksinë kundër Covid – 19, pothuajse arriti.

Por duhet mbajtur në mend se kjo sfidë për të gjithë civilizimin, arriti të përballohej vetëm me anë të atyre që qëndruan në frontin e parë çdo ditë; bluzat e bardha!

Në çdo kohë rëndësia e bluzave të bardha është kyçe, por në pandeminë e Covid – 19, roli i i mjekëve u amplifikua përtej të zakonshmes.

Imagjinoni nëse nuk do të kishim patur mjekët apo t’ju mungonte atyre guximi për tu përballur me virusin, se ç’pasoja katastrofike do kishte.

Prandaj dhe OBSH e ka shpallur këtë vit, si Vitin e Punonjësve të Shëndetësisë.
Viti i “Gardianëve të Jetës”!

Shqipëria ka sot shembuj të shkëlqyer të veprimit profesional e njerëzor, ka mjekë që janë kthyer nga pensioni në pavion për të shpëtuar jetë njerëzish – pa pyetur dy herë për jetën e tyre.

Ka infermierë dhe ndihmësmjekë që kanë punuar pa orar në kushtet më të rrezikshme të imagjinueshme, pa guxuar as te afrohen me fëmijet e tyre në shtëpi.

Këta në opinionin tim janë më shumë se mjek, janë heronj!

Heronjtë janë të rëndësishëm si individë dhe si simbol, prandaj duhet të bëjmë ç’mos për të rikujtuar se heronjtë janë çdo ditë midis nesh.

Prandaj për nder të bluzave të bardha, dhe atyre që fatkeqësisht humbën jetën në këtë luftë, mendoj se do të ishte e nevojshme që Ministria e Shëndetësisë të ndërtojë në hyrje të Spitalit Universitar “Nënë Tereza” një përmendore, ku të shkruhen emrat e të gjitha bluzave të bardha që humbën jetën në betejën ndaj COVID – 19!

Kur kjo pandemi të mbarojë, do të jetë në nderin e Fakultetit të Mjekësisë të ruaj të gjithë organigramën e Spitaleve COVID me emrat e secilit prej atyre mjekëve e infermierëve që me nder e dinjitet, me guxim e durim, me përkushtim e humanizëm shërbyen përgjatë kësaj epoke që unë besoj se ashtu si zjarri pastron metalin – e ka kthyer në Ar të paster trupën mjekësore shqiptare.

  1. Agron Menzelxhiu (71 vjeç) – kirurg, Elbasan.
  2. Anibal Byberi (53 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Bajram Curri.
  3. Arjan Pushi (58 vjeç) – mjek hematolog, Tiranë.
  4. Astrit Haziri (54 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Kukës
  5. Bledi Nini (48 vjeç) – otorinolaringolog, Tiranë.
  6. Drini Dobi (51 vjeç) – neurolog, Tiranë
  7. Eduart Dhamo (57 vjeç) – mjek i përgjithshëm,Lushnjë.
  8. Elmaz Eltari (85 vjeç) – Shefi i shërbimit infektiv, Tiranë.
  9. Esat Pashaj (71 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Skrapar.
  10. Federik Kekezi – mjek anatomopathollog, Girokastrër.
  11. Ferdinand Shkrepa (68 vjeç) – okulist, Elbasan.
  12. Flutura Hashorva – mjeke pneumologe, Tiranë.
  13. Hidajet Deda (67 vjeç) – pediatër, Kavajë.
  14. Hiqmet Musta (72 vjeç) – mjek radiolog, Kavajë.
  15. Hysni Shkjau (69 vjeç) – mjek familje, Pukë.
  16. Ibrahim Kaziu (68 vjeç) – pneumolog, Dibër.
  17. Ilirjan Draçi (66 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Tiranë.
  18. Leonard Kamberi (47 vjeç) – gjinekolog, Vlorë.
  19. Memo Boçi (81 vjeç) – epidemiolog, Tiranë.
  20. Mihal Kerci (72 vjeç) – mjek anestezist, Tiranë.
  21. Muharrem Xhepexhiu (64 vjeç) – mjek familjeje, Lushnjë.
  22. Myftar Zemani (78 vjeç) – mjek familjeje, Fier.
  23. Pëllumb Maletaj (63 vjeç) – infermier, Tiranë
  24. Raimonda Lengu (65 vjeç) – mjeke familje, Tiranë.
  25. Sami Pero (70 vjeç) – mjek ushtarak.
  26. Sefer Dervishi (61 vjeç) – mjek familjeje, Kavajë.
  27. Shaqir Shehu (68 vjeç) – kirurg, Kukës.
  28. Suela Muça (48 vjeçe) – gjinekologe, Tiranë.
  29. Violeta Koka (71 vjeçe ) – mjeke laboratori Tiranë.
  30. Vilson Topulli (73 vjeç) – epidemiolog, Tiranë.
  31. Zyliha Kraja (78 vjeçe) – kirurge, Shkodër.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Është në nderin tim si mjek dhe parlamentar, të marr nismën dhe t’i propozojmë Presidentit të Republikës që të gjithë atyre t’u jepet Urdhri i Heroit të Punës pas vdekjes, si gjesti më i vogël i mirënjohjes që mund të bëjmë ndaj aktit të tyre heroik e fisnik.

Mirënjohje të gjithë mjekëve dhe infermierëve shqiptarë!

ZOTI I BEKOFTË