Presidenti Meta ka kërkuar ditën e sotme një informacion zyrtar nga Këshilli i Ministrave lidhur me zgjerimin e Greqisë më 12 milje në detin Jon.
Në letrën e tij për Kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, z. Ruçi, Presidenti kërkon informacion rreth asaj çfarë kreu i qeverisë ka biseduar me homologun grek, Kiryakos Mitsotakis dhe veprimet që do të ndërmarrë qeveria shqiptare mbi këtë çështje.
Pyetjet e Presidentit Meta:
“Duke patur në konsideratë rëndësinë e jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike dhe jo vetëm, që ka kjo çështje për Republikën e Shqipërisë, si dhe ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik, kërkoj një informacion të detajuar për;
-komunikimin që kini zhvilluar me kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë për këtë çështje.
-qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë dhe ato ndërkombëtare që mund të rrjedhin prej tij.
-veprimet që planifikohen të ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë”, thuhet në letrën e kreu të shtetit.