Çfarë sugjeron FMN-ja për rritjen ekonomike pas Covid-19?

76

Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur se qeveritë anëtare duhet të shfrytëzojnë mundësinë e normës së ulët të interesit për të investuar në infrastrukturë, për të nxitur rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit dhe një zhvendosje drejt energjisë më të gjelbër.

FMN u shpreh se kërkimi i saj tregon se investimet publike në infrastrukturë, përfshirë investimet në sistemet e kujdesit shëndetësor, infrastrukturën dixhitale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike mund të ndikojë në rritjen ekonomike brenda dy viteve.

FMN tha se rritja e investimeve publike me 1% të PBB-së në ekonomitë e përparuara dhe në zhvillim do të rrisë PBB-në e tyre me 2.7%, duke krijuar 7 milionë vende pune direkt, dhe midis 20 milionë dhe 33 milionë vende pune në përgjithësi kur merren parasysh efektet indirekte makroekonomike.

“Edhe para pandemisë, investimet globale ishin të dobëta për më shumë se një dekadë,” tha drejtori i Çështjeve Fiskale të FMN-së, Vitor Gaspar.

Ai shtoi se “normat e ulëta të interesit globalisht gjithashtu sinjalizojnë se është koha e duhur për të investuar” pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta të Fondit për një grumbullim masiv të borxhit në vendet në zhvillim.

Disa vende me kushte më të shtrënguara financimi do të duhet të marrin një qasje më graduale për të shkallëzuar zhvillimin e infrastrukturës, por perspektivat e përmirësuara të rritjes mund të japin rezultate nëse projektet menaxhohen mirë dhe krijojnë bazat për rritjen e ardhshme.

“Investimi tani kërkohet urgjentisht në sektorë kritikë për kontrollimin e pandemisë, të tilla si kujdesi shëndetësor, shkollat, ndërtesat e sigurta, transporti i sigurt dhe infrastruktura dixhitale,” tha FMN në raportin e saj.

/Descript.al/