Covid-19/ Gjermania zgjat afatin e masave kufizuese

120

Qeveria gjermane dhe landet federale kanë rënë dakord të zgjasin kufizimet ekzistuese të kontakteve deri më 19 prill. U diskutua gjithashtu edhe për një detyrim për të mbajtur maskë mbrojtëse.

Në luftën kundër përhapjes së virusit Corona, kufizimet e gjera për kontakte duhet të zbatohen nga qytetarët deri në 19 prill, pra edhe gjatë Pashkëve. Federata dhe landet vendosën në Berlin, që kontaktet me njerëzit e tjerë jashtë familjes të mbeten të kufizuara në minimumin absolut, në përputhje me rregullat në fuqi.

Kancelarja Angela Merkel (CDU) tha pas një video-konference me kryeministrat e landeve që njerëzit në Gjermani të heqin dorë në përgjithësi nga udhëtimet private dhe vizitat – përfshirë edhe te të afërmit. “Një pandemi nuk njeh ditë pushimesh,” tha Merkeli. Dhe shtoi: “Qëndroni edhe më tej të fortë dhe i respektoni rregullat”. Rregullat duhet të zbatohen fillimisht deri më 19 prill. Në pothuajse të gjitha landet federale, pushimet e Pashkëve për fëmijët e shkollave mbarojnë në këtë datë.