Dekoratat nuk janë petulla zoti President!

63

Nderimi që bëhet ndaj një qytetari nga Presidenti i Republikës është një vlerësim shumë i madh pasi është nderim nga i gjithë kombi.

Për këtë arsye, nderimet dhe vlerësimit në shumë vende të botës që bëhen nga i pari i një vendi janë të rralla.

Por nuk ndodh e njëjta gjë në Shqipëri, pasi me ardhjen e Metës president, janë me dhjetëra njerëz që janë vlerësuar me urdhra, tituj e dekorata më të rëndësishme që akordon shteti shqiptar.

Me ligj, Presidenti është kompetent për akordimin e 12 titujve, urdhrave e dekoratave të ndryshme. Konkretisht, Presidenti akordon me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, dekoratën “Nderi i Kombit”, dekoratën “Nënë Tereza”, dekoratën “E artë të Shqiponjës”, titullin “Pishtar i Demokracisë”, titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”, titujt “Martir i Demokracisë”, “Mjeshtër i Madh”, “Naim Frashëri”, “Për Merita të veçanta civile” dhe “Për Shërbime Ushtarake”.

Dhe me ardhjen e Metës në krye të këtij institucioni, ai ka shpërndarë me shumë tituj nderi se të gjithë paraardhësit e tij, duke mos pasur ditë që të mos kemi ndonjë të dekoruar.

Aq shumë njerëz janë dekoruar vitet e fundit sa po i humb rëndësia dhe vlerësimi një procesi kaq të rëndësishëm për shtetin dhe për vetë individin, siç është ajo e nderimit.

Është shumë e kuptueshme që Reshat Arbana dhe Vaçe Zela, e personalitete të tjera të shquar të vendit tonë të vlerësohen, por është e turpshme që Meta dekoron persona që shqiptarët ua mësojnë emrin vetëm kur Presidenti u jep medaljen.

Medaljet dhe Dekoratat nuk janë në dorën e Presidentit që ai të bëjë qoka të ndryshme për njerëz të ndryshëm që nuk kanë dhënë asnjë lloj kontributi për shqiptarët, por vetëm e vetëm se janë në rrethin e ngushtë shoqëror të tij.

Madje Meta ka shkuar deri aty se ka nderuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ish-ambasadoren e Greqisë, Eleni Sourani.

Një diplomate karriere, e cila ka shërbyer në total në 7 pozicione diplomatike nëpër botë, Sourani u bë e njohur në Shqipëri për disa qëndrime kontradiktore që ajo ka mbajtur.

Si në vitin 2016, kur mohoi ekzistencën e një çështje çame apo më tej në 2018, kur denoncoi atë që ajo e quajti një “vrasje shtetërore”, të komandos shqiptaro-grek Kacifa, i cili mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri me forcat e rendit në jug të Shqipërisë.

Problemi është që Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut është një medalje e rrallë, që jepet, sipas përcaktimit ligjor të ligjit të dekoratave, vetëm për akte heroike në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë.

Natyrshëm shtrohet pyetja në duhet të dekorohej me të vërtetë kjo diplomate pikërisht me një medalje që posaçërisht vlerëson “aktet heroike” në mbrojtje të Shqipërisë?

Shumë nga personat e dekoruar meritojnë absolutisht titullin e akorduar. Por, në dhjetëra apo qindra raste të tjera, ekziston dyshimi që persona pa asnjë meritë të spikatur përfitojnë tituj me qëllimin e vetëm për të përfituar financiarisht.

E nëse kjo është e vërtetë, fatura që taksapaguesit përballojnë çdo vit për pensionet e posaçme klienteliste avitet në miliona dollarë në vit, dhe akoma më e turpshme është fakti që në Shqipëri po jepen dekorata sikur po shpërndan petulla.