Dialogu Kosovë-Serbi/Miroslav Lajçak ‘zbarkon’ nesër në Kosovë, pritet të takohet me Kurtin

74

Miroslav Lajçak do të zbresë nesër në Kosovë ku pritet të zhvillojë një takim edhe me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Lajçak, i cili është edhe i dërguari i  posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në vizitën e tij zyrtare në Prishtinë do të fokusohet tek raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa vizitën e ka konfirmuar edhe  vetë fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit kur u pyet nëse do të takohet nesër me Lajçakun.

“Me sa di në agjendë e kemi edhe takimin e Lajçak, prandaj mund të them se po”, tha shkurt Kurti për mediat.

Ndërkohë gjatë javës Lajçak, pritet që përveç Prishtinës të zhvillojë dhe një vizitë zyrtare në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Këto vizita janë pjesë e përpjekjes së BE-së për të ringjallur dialogun Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e saj pasi që nën ShBA-të nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump patën marrë primatin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Boegradit.