Dialogu me Serbinë/ Hoti thirret për raportim në Kuvend

35

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi të ftojë kryeministrin Avdullah Hoti të raportojë për dialogun me Serbinë në një seancë që do të mbahet të enjten, më 17 shtator.

“Kryeministri e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti këtu për dialogun”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media në Prishtinë.

Ndërsa njoftoi për nisjen e sesionit të kuvendit, Osmani tha se në seancën e së enjtes, pas raportimit të kryeministrit, janë thirrur edhe dy interpelanca, njëra për ministrin e Arsimit, tjetra për ministrin e Punëve të Brendshme.

Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë nënshkruar më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Hoti dhe Vuçiç u takuan edhe më 7 shtator në Bruksel, ku kanë thënë se kanë hapur temat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ato të çështjeve financiare dhe pronësore.