Dibër/ Humbin kontaktet me familjen tre punëtorë të një miniere

65

Tre punëtorë të minierës “Balgjaj” në Dibër kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre.

Në komunikimin e saj për mediat policia thekson se janë njoftuar pasditen e sotme, rreth orës 18:15, nga një person, se i vëllai dhe dy punëtorë të tjerë të minierës “Balgjaj”, kanë humbur kontaktet me familjen dhe nuk janë kthyer në shtëpi ditën e sotme.

Policia ka mbërritur në ambientet e minierës, por dyert e galerisë i ka gjetur të mbyllura.

Sipas uniformave blu, dyshohet se inxhinieri me inicialet I.H., 62 vjeç, bashkë me dy punëtorët, ka mbetur brenda minierës.

Sendet personale, rrobat dhe telefonat, janë gjetur në dhomën e ndërrimit, ndërkohë që janë njoftuar grupet e avari shpëtimit në miniera. Ata do të bëjnë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e tre shtetasve.

Njoftimi i policisë:

Me datë 28.10.2020, rreth orës 18:15,  shtetasi S. H., ka telefonuar Sallën Operative në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër,  se vëllai i tij shtetasi I.H., rreth 62 vjeç me detyrë inxhinier miniere, së bashku me dy punëtorë, të cilët punonin në minierën “Balgjaj”, Selishtë, Dibër, kanë humbur kontaktet me familjen. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe nga veprimet paraprake të kryera dyshohet se personat  mund të kenë mbetur të izoluar brenda në galeri, pasi sendet personale, rrobat dhe telefonat, ndodhen në dhomën e ndërrimit. Janë njoftuar grupet e avari shpëtimit në miniera,  për të bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e tre shtetasve.