Dialogu Kosovë- Serbi/ Ja cilat janë kushtet e Vetëvendosjes

50

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ky dialog megjithatë duhet të ketë qasje të re. Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu tha se dialogu duhet të ketë “së pari karakter transformues, të bazuar në parime e vlera për dallim nga ai transaksional, të bazuar në interesa momentale dhe me logjikën ‘duhet te japësh diçka për të marrë diçka’”.

“Dialogu duhet të jetë trans-atlantik, në kuptim të koordinimit në mes Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por edhe në kuptim të integrimit perëndimor si synim në vete për të dy palët. Është në të mirë të të gjithëve që ky proces të jetë me parime të qarta dhe me qasje të sinqertë, duke synuar që të jetë gjithmonë në shërbim të popujve e jo qeverive të momentit apo individëve të momentit”, tha Kryeziu.

LVV-ja në vazhdimësi e ka cilësuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si jotransparent dhe i ka cilësuar si të dështuara shumicën e 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

“Shumica prej tyre ose nuk janë zbatuar fare ose pjesërisht. Kjo, bashkë me mungesën e transparencës që e ka përcjellë këtë proces, janë provë e mjaftueshme që dialogu ka nevojë për një qasje të re”, shtoi Kryeziu.