Doli për intervistë pune, por prej një jave është zhdukur pa asnjë gjurmë / Thirrja e dëshpëruar e nënës për 19-vjeçaren shqiptare

128

“Të gjithë e duam dhe rrimë me sytë nga dera e hapur duke pritur Artemisin të hyjë. Dera është e hapur pasi po pret vajzën”, thotë e dëshpëruar nëna e 19-vjeçares shqiptare, Artemis Vasili, gjurmët e së cilës janë zhdukur prej një jave.

Kërkimet për të vijojnë pa u ndalur ndërsa familjarët kanë bërë shpesh thirrje që çdo person që ka informacion të njoftojë menjëherë autoritetet.

Ditën e djeshme, babai i saj tha se janë përpjekur të kontaktojnë me 24-vjeçarin me të cilin pati një romancë, por nuk morën asnjë përgjigje.

Hera e fundit që u pa Artemis ishte e premtja kur së bashku me një mikeshë po shkonte drejt stacionit të autobusit për të dhënë një intervistë pune.

I fundit që u takua me të ishte burri i motrës dhe më pas askush nuk mësoi diçka për Artemis.

Edhe pse u përpoqën ta telefononin, celulari i saj del i fikur.

Disa dëshmitarë kanë treguar se hera e fundit që e kanë parë në rrugë ka qenë dita e hënë kur Artemis ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe fizike.

Ndërkohë grupi hetimor ka përqendruar hetimet tek shoqëria e vajzës.

Mediat greke thonë janë bërë të gjitha procedurat e nevojshme për të hapur llogaritë e 19-vjeçares dhe për të zbuluar me kë kishte folur dhe me kë kontaktoi herën e fundit para zhdukjes së saj, por ende nuk ka detaje rreth kësaj çështje.

Ndërsa një punonjës i shërbimit Silver Alert zbuloi se kamerat e sigurisë kanë treguar që Artemis nuk hipi në autobusin pranë shtëpisë për të shkuar në intervistën e punës por eci rreth një kilometër, por mbetet e paqartë se cila ishte rruga që ndoqi më pas.