Dorëzohet Spanja, federata e futbollit i drejtohet në emër Kombëtares së Kosovës

154

Duket se Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) është dorëzuar më në fund në përpjekjet e saj për të mos e trajtuar Kosovën si shtet, pasi pas ngurrimit të vazhdueshëm për t’iu drejtuar në emër ekipit kombëtar të Kosovës, sot e ka bërë një gjë të tillë.

Spanja dhe Kosova do të përballen sonte në orën 20:45, në rrethin e tretë të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë.

RFEF-ja kishte shkaktuar shumë polemika dhe zemërim në Kosovë kur i ishte drejtuar asaj si “territor” në njoftimin e parë për takimin e Spanjës me Kosovën në Grupin B kualifikues për Kupën e Botës muaj më parë, raporton Gazeta Express.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i kishte reaguar asaj duke e kërcënuar se nuk do të luante nëse simbolet e saj shtetërore nuk do të respektoheshin. Pas një bisede mes krerëve të dy federatave dhe UEFA-s, Spanja u detyrua të pranojë që ndeshja të zhvillohet në bazë të rregullave të UEFA-s e FIFA-s dhe se Kosovën do ta trajtonte si të barabartë.

Por shtëpia e futbollit spanjoll e kishte vazhduar qëndrimin e njëjtë ndaj Kombëtares së Kosovës edhe në njoftimet tjera, përfshirë edhe dje në lajmet për konferencën e trajnerit të furisë së kuqe, Luis Enrique, për takimin e sotëm me Kosovën.

Gjatë ditës së martë, RFEF-ja në të gjitha njoftimet e saj e kishte shmangur përmendjen e emrit Kosovë edhe pse bëhej fjalë për takimin Spanjë-Kosovë.

Por sot, në njoftimin e saj për ndeshjen e orës 20:45, RFEF-ja nuk ka pasur si ta shmangë përmendjen e emrit Kosovë.

“Ndeshja e fundit e Kombëtares. SPANJË – Kosovë. Faza kualifikuese për Katar 2020”, shkroi RFEF-ja në Twitter./ Gazeta Express