‘Edhe gjinekologët kanë sjellë vajzat dhe gratë e tyre’ / Njihuni me 91-vjeçaren shqiptare që ‘ju lë shtatzënë’ (VIDEO)

218

Halime Krasniqi është një 91-vjeçare nga Drenica e Kosovës, e cila që në moshën 14 vjeç ka nisur “zanatin” e trashëguar nga nëna e saj që të “lërë shtatzënë” gratë. E ëma e ka mësuar që 8 vjeçe, por ka nisur që ta praktikojë më vonë.

Tek nënë Halimja shkojnë shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare dhe jo vetëm, madje edhe të huajt. Madje veç sëmundjes së kancerit, e moshuara kuron çdo gjë tjetër prej 78-vitesh pa medikamente farmaceutike.

Nuk ka bërë kurrë aborte, përjashtohen rastet kur fëmija ka ndërruar jetë që pa lindur. Në kohën e luftës ka ndihmuar shumë gra për të sjellë në jetë fëmijët. Familjarët e Halimes thonë se gratë e moshave të ndryshme vijnë që në orët e para të mëngjesit për të zënë radhë.

Nënë Halimja ishte e në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” për të treguar eksperiencën e saj. Duke qenë se e kishte të pamundur të fliste vetë për shkak të moshës, ishte një i afërm i saj që tregoi historinë e 91-vjeçares.

Sipas tij, në momentin që ajo prek barkun e një gruaja, ajo kupton nëse ka apo jo vezore. Madje ai shtoi se e moshuara ndihmon gratë që të lindin djem. Ai shtoi se mjekë gjinekologë kanë dërguar gratë apo vajzat e tyre te nënë Halimja.

“Kur t’ua vendosë duart në bark, kur u bën fizioterapi, ajo e di 100 për qind a ka apo jo vezore një grua. Shumë aparatura të sofistikuara nuk e zbulojnë këtë. Shumë gra dalin duke qarë, pasi nuk munden të bëjnë fëmijë. Është një terapi shumë interesante dhe shumë e vlefshme.

Ja rregullon mitrën, e pastron përmes disa medikamenteve (jo tamam ilaçe), janë disa hoje të bletëve që i avullon. Kjo përdor vetëm hojet e bletëve. Na shqiptarët kemi dëshirë me pas vetëm djem, e kur kanë shumë vajza, ata duan djem. Nënë Halimja me dorën nga ana e djathtë bën të mundur një gjë të tillë. E 95 për qind lindin djem. Edhe mjek gjinekolog kanë sjellë gratë dhe vajzat e tyre. I shpëton edhe nga dështimet, nuk i lejon që të humbasë fëmijët”.

I pyetur nëse ajo merr para për një gjë të tillë, ai tha se gjithçka e bën në mënyrë humanitare dhe njerëzit lënë para vetëm nëse duan ata.

“Si para luftës, pas luftës e ka në mënyrë humanitare. Por njerëzit sipas vullnetit lënë para, ajo nuk ka caktuar kurrë çmim. Ka shumë që nuk i lënë asgjë, nuk është se fiton shumë.Nuk mbajmë shënime se sa gra ka ndihmuar, por me qindra e mijëra i ka shëruar. Shumë gra i ka bërë nëna”, tha i afërmi i saj.