(EMRAT) Arrestohen 2 zyrtarë Bashkisë së Kamzës, lejonin ndërtimet pa leje kundrejt parave

125

Janë arrestuar këtë të shtunë 2 zyrtarë të Bashkisë Kamëz.

Dritan Nikolli dhe Ermal Baci kanë qënë nën vëzhgim për periudhë 6-mujore.

Ata akuzohen se u kanë marra para qytetarëve të ndryshëm në zonën e Bashkisë Kamëz, të cilët i konstatonin duke kryer ndërtime pa leje, në këmbim të mosndëshkimit të tyre me masa administrative.

Njoftimi i plotë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Supervizori”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Ekzekutohen 2 masa sigurie.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas një pune hetimore 6-mujore, finalizoi operacionin policor të koduar “Supervizori”, për ekzekutimin e 2 masave të sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:

-D. N., 47 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë;

– E. B., 36 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një periudhe 6-mujore, qytetarëve të ndryshëm në zonën e Bashkisë Kamzë, të cilët i konstatonin duke kryer ndërtime pa leje, u kanë kërkuar dhe u kanë marrë shuma monetare, në kembim të mosndëshkimit të tyre me masa administrative, sipas legjislacionit ne fuqi.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.