(EMRAT) E kërcënojnë e i shkatërrojnë lokalin, arrestohen në Durrës 2 persona

94

Dy persona janë arrestuar nga policia e Durrësit pasi kanë kanosur pronarin e një lokali dhe kanë thyer edhe xhamat.

Mësohet se në pranga ka rënë Dhimitraq Gjetaj 40 vjeç dhe Klaudio Toska 28 vjeç, të dy banues në Kuçovë dhe të dënuar më parë për “Kanosja”, “Shkatërrim prone”, e “Armë mbajtje pa leje”.

Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe dy persona të tjerë të cilët, kanë bërë deklarim të rremë për këtë ngjarje.

Njoftimi i plotë i policisë

Kanosën pronarin e një lokali dhe thyen xhamat e këtij ambienti, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Procedohen penalisht 2 shtetas që kanë dhënë kallëzim të rremë për këtë ketë ngjarje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrim prone”, shtetasit Dh. Gj., 40 vjeç, banues në Kuçovë dhe K. T., 28 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Kanosja”.

Këta shtetas, në lagjen nr. 13, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur shtetasin D. Q., pronari i një lokali dhe kanë thyer xhamat e këtij ambienti.  Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Deklarimi i rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore”, shtetasit A. I., 25 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Rr., 34 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Menjëherë pas ngjarjes, shtetasit e arrestuar janë larguar së bashku me shtetasit A. I. dhe E. Rr., me mjetin e këtij të fundit, por janë kapur nga shërbimet e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.