Fatjon Malaj/ Rajoni Donbas-Miniera si ‘minë’ e një konflikti më shumë se Ruso-Ukrainas!

84

Ditët e fundit nëpërmjet medias kemi parë zhvillime të reja të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës.
Nga njëra anë, një zyrtar amerikan njoftoi se SHBA do të dërgojë anije luftarake në Detin e Zi, e nga ana tjetër një zyrtar i lartë rus paralajmëroi se Rusia do të ndërhyjë në Ukrainë.
Që prej fillimit të viteve 1990, kohë kur përfundoi Lufta e Ftohtë, lëvizjet separatiste dhe konfliktet me bazë etnike filluan të zinin një vend të rëndësishëm në axhendën politike botërore e të konsidoheshin “çështje të sigurisë”.
Në gjeografinë post-sovjetike, Ukraina ka qenë një nga burimet e paqëndrueshmërisë që u shfaq pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Lëvizjet separatiste dhe konfliktet etnopolitike që filluan qysh prej krijimit të vendit janë ndër problemet kryesore që edhe sot, vijojnë ende të kërkojnë zgjidhje.
Pavarësisht armëpushimit të vendosur, duket se konfliktet që ndodhën në rajonin e Donbasit gjatë krizës politike që filloi në Ukrainë në vitin 2014, janë rikthyer përsëri në këto muaj të parë të 2021. Si rrjedhojë, kjo situatë ka nsiur të shkaktojë sërish tendosje në marrëdhëniet midis dy vendeve: Rusisë dhe Ukrainës.
Nëse sjellim në vëmendje “Marrëveshjet e Berlinit Plus” të nënshkruar më 16 Dhjetor të 2002-it midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Organizatës së Tregtisë së Atlantikut të Veriut (NATO) rikujtojmë se ato u përgatitën në përputhje me Samitin e Uashingtonit të 1999 të NATO-s dhe se fusha e marrëveshjes përfshin aftësinë e BE-së për të përfituar nga lehtësitë e NATO-s në operacionet e saj paqeruajtëse.
Në këtë kontekst, duhet thënë gjithashtu se anëtarët e Partneritetit Evropian të Paqes, anëtarët e Partneritetit Individual dhe Programit të Bashkëpunimit, si dhe shtetet në gjeografinë post-sovjetike (Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina), të cilat janë ndër vendet pjesëmarrëse në Planin e Veprimit të Anëtarësimit, kanë forcat e tyre të armatosura në NATO.
Duke qëndruar brenda kornizës së “politikës së zgjerimit” të NATO-s, mund të themi se Ukraina e ka kthyer drejtimin e saj drejt botës perëndimore e se në fakt, “Revolucioni Portokalli” që ndodhi në vend në 2004-ën ishte vetëm fillimi i të tjera revolucioneve që do të pasonin në rajon.
Revolucionet me ngjyra u konsideruan si zhvillim, në përputhje me politikën e Perëndimit për të rrethuar Rusinë dhe ndaj pas Revolucionit Portokalli në Ukrainë, Moska mbështeti udhëheqësin e partisë opozitare Viktor Yanukovych. E kur ky i fundit u vendos si President në krye të vendit në 2010-ën (kujtojmë se Yanukovych dihet se është i afërtë me Rusisë) Ukraina filloi të kthente përsëri drejtimin e saj drejt Rusisë dhe hodhi poshtë Marrëveshjen e Asociimit që pritet të nënshkruhet me BE.
Lufta midis mbështetësve pro-perëndimorë dhe rusë në vend fillimisht u kthye në një krizë politike dhe më pas në përplasje rrugësh. Në mjedisin e kaosit në Kiev, administrata e Yanukovych u përmbys dhe u formua një administratë e re që mbështeste BE dhe NATO.
Mjedisi i konfliktit në vend është përhapur në Ukrainën Lindore dhe Krime dhe të gjendur në këto kushte Donbas, Luhansk dhe Krime shpallën pavarësinë e tyre dhe krijuan republikat e tyre popullore me mbështetjen e Moskës.
Krimea, ku ndodhet edhe flota ruse e Detit të Zi, shkoi në një referendum me ndërhyrje të drejtpërdrejtë ruse dhe pas një kohe të shkurtër vendosi të bashkohej me të. Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe njohja e saj në të drejtën ndërkombëtare është objekt i një analize tjetër e ndaj nuk po e zhvillojmë më tej tani…
Për t’ju riktjyer analizës, tensioni i fundit në rritje në rajonet Donbas dhe Luhansk dhe mosmarrëveshja politike me Ukrainën, e cila nuk e njeh deklaratën e pavarësisë, është vendosur në një kohë të shkurtër në kontekstin e konflikteve etnopolitike për “identitetin etnik”.
Rajoni Donbas, i vendosur në lindje të Ukrainës, është një rajon i rëndësishëm ekonomikisht ku vend të rëndësishëm zë industria e minierave, e jo vetëm kaq por edhe Donetsk, Luhansk dhe Kharkiv janë pika të rëndësishme strategjike në rajon.
Kujtojmë se Donbas është një rajon ku rusët jetojnë intensivisht në aspektin etnik dhe njerëzit janë në kontakt të ngushtë me Rusinë në aspektin socio-ekonomik.
Në fakt, ndryshimet e dukshme të mendimit midis Ukrainës Perëndimore dhe Ukrainës Lindore bën që të shkaktoheshin lëvizje separatiste pas përmbysjes së Yanukovych dhe prandaj, me përshkallëzimin e konflikteve në rajon, kërkimi për një zgjidhje është rritur dhe Procesi i Minskut përfshiu edhs pjesëmarrjen e Gjermanisë, Francës dhe Rusisë.
Nëse kthehemi pak muaj pas në kohë, në Korrik të 2020-ës gjatë procesit të armëpushimit që hyri në fuqi u zbuluan shumë shkelje të regjistruara nga të dy palët dhe vëzhguesit e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).
Por çfarë ndodhi më 6-7 Mars të 2021-it?
Gjatë vizitës inspektuese të kryer nga këshilltarët ushtarakë britanikë në Rajonin e Operacioneve të Forcave të Përbashkët (JF) në Donbas, u vlerësua trajnimi në vijën e parë të ushtarëve ukrainas në rajon dhe në sfondin e kësaj e vizitës, ka pasur parashikime se një operacion i mundshëm ushtarak mund të kryhet nga trupat ukrainase dhe se gjithashtu Ukraina do të tërhiqet nga Marrëveshjet e Minskut.
Për shkak se Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski deklaroi se ai pret miratimin e Moskës për “zgjidhjen paqësore”, të cilën ai pretendoi se ishte zhvilluar në bashkëpunim me Gjermaninë dhe Francën, nga ana e saj Moska zyrtare u përgjigj se nuk kishte njohuri për një formulë të tillë.
“Plani paqësor i zgjidhjes për situatën në Donbas i shpallur nga Kievi është një tjetër përpjekje për të injoruar Marrëveshjet e Minskut,” tha Natalia Nikonorova, Përfaqësuese e Përhershme e Negociatave të Grupit Trilateral të Kontaktit të Republikës Popullore të Donetskut.
Në fakt, duhet thënë se Ukraina është e vetëdijshme se kthimi i Krimea-s në zonat e saj nuk është shumë e mundur por sidoqoftë, duke tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në rajon, ai thekson ligjshmërinë e tij dhe përpiqet të marrë mbështetjen e Perëndimit përkundërt Rusisë.
E gjithë kjo situatë bën që Ukraina të jetë një zonë gjeografike ku konfliktet e interesit midis politikës së zgjerimit të NATO-s dhe doktrinës së mjedisit të ngushtë të Rusisë janë në skenë.
Për më tepër, e gjithë kriza politike, që u bë e dukshme me dallimet politike të popullit pro-perëndimor në perëndim të vendit dhe popullit pro-rus në lindje, shkaktoi lëvizjet separatiste.
Ndërsa nëse nga njëra anë mbështetja politike dhe ushtarake e Moskës për Republikën Popullore Donetsk dhe Republikën Popullore Luhansk~ të cilat shpallën pavarësinë e tyre në Prill 2014 dhe njoftuan ndarjen e tyre nga Ukraina~ rritën sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë; nga ana tjetër, administrata e Kievit nisi aksionin ushtarak kundër separatistëve të armatosur.
Konstantin Bondarenko, Presidenti i Fondacionit Politik të Ukrainës, argumenton se palët në konflikt në Donbas janë përfituesit e këtij kaosi e sipas tij, megjithëse palët aktuale në konflikt janë Ukraina, Donetsk dhe Luhansk, përveç terrenit të konfliktit, problemi kryesor në rajon në fakt është midis Moskës dhe Uashingtonit.
Për këtë arsye, në këndvështrimin e tij konflikti mes vendeve nuk është i mundur të zgjidhet plotësisht deri kur të arrihet një konsensus midis SHBA dhe Rusisë.
Si rezultat i kësaj, tensioni në rritje në rajon tregon se konfliktet do të mund të intensifikohen në të ardhmen e afërt e duke marrë parasysh edhe deklaratën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve Antony Blinken se “SHBA janë të gatshëm që nga buxheti i mbrojtjes i 20201-it të sigurojnë ndihmë ushtarake prej 250 milion dollarësh përfshirë armë në Kiev“, duket dhe mund të thuhet se kërkimi i një zgjidhje vështirë të shihet në horizont.