Fëmijët shqiptarë në kampet e ISIS/Komiteti i Helsinkit: Janë në rrezik, shteti s’mund të rrijë indiferent

59

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar mbi fëmijët shqiptarë të mbetur në kampin e Sirisë në një kohë kur qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë për këtë situatë dramatike.

Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit janë 51 fëmijë shqiptarë që jetojnë në kampe “në mjerim dhe frikë, në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre”. Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson në reagim se shteti dhe shoqëria shqiptare nuk mund të qëndrojnë indiferentë para kësaj “gjendje shqetësuese”.

Reagimi i plotë: Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) mbështet dhe inkurajon protestën e qytetarëve, klerikëve dhe familjarëve të fëmijëve që ndodhen në kampet siriane të ISIS-it, të kësaj organizate terroriste të ekstremizmit të dhunshëm. Rreth 51 fëmijë shqiptarë jetojnë në këto kampe në mjerim dhe frikë, në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre. Ata janë në zonat e luftës, dhe ndihen të përçmuar dhe të kërcënuar. KShH vlerëson se shteti dhe shoqëria shqiptare nuk mund të qëndrojnë indiferentë para kësaj gjendje të shqetësuese. KShH është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që paraqet shpëtimi (largimi) i fëmijëve nga këto kampe, e megjithë këtë, kjo nuk është e pamundur. Nuk duhet lejuar viktimizimi i mëtejshëm i tyre. Ndërgjegjia dhe humanizmi ynë, dashuria prindërore e familjeve dhe të afërmve të tyre e shoqëruar me veprime konkrete japin shpresë për shpëtimin e tyre. Është kjo arsyeja që KShH i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe miqve tanë ndërkombëtare që ta japin kontributin e tyre dhe të koordinojnë veprimet për kthimin e këtyre familjeve në atdheun e tyre. Gjithashtu, vlen të evidentohet se shtetet janë të lejuara nga e drejta ndërkombëtare të përdorin të gjitha mjetet paqësore për të realizuar të drejtën për mbrojtje diplomatike për shtetasit e tyre, të drejtat e të cilëve janë shkelur ose që ju kanoset një rrezik real në jetën dhe shëndetin e tyre, në një shtet tjetër. Në rastin e Shqipërisë, garantimi i mbrojtjes ndërkombëtare diplomatike ndaj shtetasve përbën një detyrim kushtetues të garantuar në nenin 8 të Kushtetutës sonë.