FMN nxjerr shifrat: Shqipëria, vendi me ekonominë më pak të kredituar në rajon

38

Shqipëria është ekonomia më e nënkredituar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat krahasuese nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se në fund të vitit të kaluar portofoli i kredisë në Shqipëri ishte sa 32.53% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Pas disa vitesh radhazi në rënie, kreditimi i ekonomisë shqiptare, në terma realë, shënoi një rritje me 1.16 pikë përqindje vitin e kaluar. Por, stanjacioni disavjeçar i huadhënies, në një kohë që ekonomia rritej me ritme pozitive e ka thelluar hendekun e kreditimit mes Shqipërisë dhe ekonomive fqinje.

Vendi më i afërt me Shqipërinë është Kosova, ku kredia ka një vlerë sa rreth 41% e PBB-së. Ndryshe nga Shqipëria, Kosova ka ndjekur një ecuri pozitive të kreditimit edhe gjatë viteve të krizës. Ekonomia e Kosovës i ndjeu më pak pasojat, falë hapësirave më të mëdha fiskale dhe kontributit të remitancave. Kjo u reflektua edhe në ecurinë e sektorit bankar, që vuajti më pak kredi të këqija dhe ruajti një rritje të huadhënies. Ekonomia me kreditimin më të lartë në rajon është Bosnje-Hercegovina, me një portofol sa 55.69% e PBB-së, e ndjekur nga Mali i Zi me 49.56%, Maqedonia e Veriut me 48.7% dhe Serbia me 44.34%.

Shumica e vendeve të tjera të rajonit nuk vuajtën një rënie të fortë të kredisë ndaj PBB-së, siç ndodhi në rastin e Shqipërisë. Në të gjitha vendet, rënia e kredisë ndaj PBB-së gjatë pesë viteve të fundit ka qenë në intervalin mes një dhe tre pikë përqindje. Në Shqipëri kredia mes vitit 2014 dhe 2018 ra me rreth tetë pikë përqindje ndaj PBB-së.

Në vitin 2015, Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore që i detyronte bankat të nxirrnin jashtë bilancit kreditë që ishin klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Qëllimi i këtij vendimi ishte ulja e raportit të kredive me probleme dhe në pesë vjet bankat fshinë rreth 65 miliardë lekë kredi të humbura. Por, paralelisht, fshirjet patën një efekt gërryes edhe në portofolin total të kredisë. Rritja e mirëfilltë e stokut të kredisë për ekonominë rinisi vetëm në vitin 2019.Sektori bankar shqiptar vuajti sidomos prej një ekspozimi të lartë në segmentin e korporatave. Dështimi i shumë kompanive të mëdha huamarrëse rriti kreditë e këqija, por njëkohësisht edhe ngushtoi bazën potenciale të huamarrësve në këtë segment të tregut. Nga ana tjetër, vetë bankat u treguan shumë më të kujdesshme në ekspozimet e mëdha dhe e zhvendosën fokusin në segmentin retail, me qëllim një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë. Por, kreditimi në tregun e klientëve më të vegjël gjeneron shuma mesatarisht më të ulëta dhe rritja e portofolit kërkon më shumë kohë, megjithëse është më e qëndrueshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit portofoli i kredisë për ekonominë arriti në vlerën e 595 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 5.1%. Rënia e fortë e PBB-së këtë vit pritet të përmirësojë edhe kredinë në terma realë. Nëse ekonomia do të bjerë me rreth 6%, aq sa parashikon qeveria shqiptare, raporti i kredisë ndaj PBB-së, me shifrat e shtatorit rezulton rreth 37.7%, në rritje me pesë pikë përqindje krahasuar me vitin 2019./Monitor/