Franca në ankth për Benzema!

52

Gjithçka e thjeshtë për Francën në takimin e mbrëmshëm miqësor ndaj Bullgarisë. Kampionët e Botës fitojnë pastër për 3-0, në një ndeshje ku triumfi i tyre nuk u vendos në diskutim për asnjë moment. Francezët shënojnë fillimisht me Griezmann në minutën e 29-të, dhe më pas është Olivier Giroud ai që shënon dy herë, në 83’ dhe 90’. Lajmi i vetëm i keq për Didier Deschamps, largimi nga fusha për shkak dëmtimi i Karim Benzema. Sulmuesi i Real Madrid ka pësuar një dëmtim në këmbën e djathtë, dhe lotët e tij në pankinë nuk janë një ogur i mirë për një rekuperim të shpejtë.

Trajneri i transalpinëve, në përfundim të takimit është përpjekur ti qetësojë të gjithë, duke deklaruar se me shumë mundësi bëhet fjalë vetëm për një goditje të fortë dhe asgjë më tepër, por do të jenë orët në vazhdim ato që do të tregojnë nëse sulmuesi 34-vjeçar do të jetë a jo në gjendje të rekuperojë në kohë për takimet e Euro 2021. Franca i ka bërë llogaritë me një treshe sulmuese të përbërë nga Mbappé-Griezmann-Benzema, me siguri më e mira e këtij kampionati. Nëse Benzema nuk ia del ta lërë pas këtë dëmtim, Deschamps gjithsesi mund të besojë te Olivier Giroud, i shfaqur në një formë shumë të mirë edhe në këtë takim, duke realizuar dy gola dhe duke e ndihmuar ekipin e kombëtares edhe në fazën mbrojtëse!

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.

Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.