U godit fatalisht nga gruaja me sqepar në kokë, vdes në spital 61-vjeçari, baba i 10 fëmijëve

300

61-vjeçari Llesh Deda, i cili ndodhej në spital prej disa ditësh pasi u godit nga bashkëshortja me sqepar në kokë, ka humbur jetën.

Zënka mes çiftit, që degradoi në përdorimin e dhunës, nisi për shkak të konsumit të alkoolit nga ana e 61-vjeçarit.

Bashkëshortja e tij Drane Deda 58-vjeç, në sherr e sipër, e goditi me sqepar në kokë, duke i shkaktuar dëmtime serioze.

NGJARJA

Në momentin e ngjarjes çifti i bashkëshortëve, të cilët janë prindër të dhjetë fëmijëve, kanë qenë të vetëm në banese dhe dyshohet se fillimisht kanë debatuar me njëri-tjetrin, madje burri e kishte dhunuar gruan.

Në debat e sipër, gruaja ka dalë jashtë shtëpisë dhe ka marrë një sqepar, duke e goditur në kokë bashkëshortin e saj. Menjëherë pasi ka kryer aktin e rëndë, ajo është larguar nga shtëpia dhe është vetëdorëzuar në Polici, duke treguar atë çfarë kishte bërë.

Ndërkohë, kanë qenë fqinjë e të afërm të familjes të cilët kanë dëgjuar zhurmë dhe e kanë gjetur burrin e gjakosur në shtëpi, duke e marrë menjëherë dhe dërguar në spital.

Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore, ndërsa kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe motivet që çuan 58- vjeçaren të godasë dhe plagosë rëndë burrin e saj.

KONFLIKTET

Sipas uniformave blu, 61- vjeçari ishte përdorues alkooli dhe çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme mes tyre, por nuk kishte pasur denoncime në Polici për dhunë në familje.

Ata jetonin të vetëm në kushte të vështira ekonomike, në një banese thuajse të shkatërruar fare pranë autostradës Milot-Mamurras, në fshatin Sanxhak të Kurbinit.

Bashkëshortët Deda janë prindër të 10 fëmijëve, 7 prej të cilëve janë të martuar, ndërsa 3 të tjerë qëndronin në Sarandë për të bërë punë sezonale në këtë qytet.

58- vjeçarja Drane Deda, e cila tashmë është arrestuar, po mbahet në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë Kurbin në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë në gjykatë.

(Descript.al)