Humbën jetën në tërmetin e 26 nëntorit/ Nëna e dy vëllezërve nga Kosova: Rama nuk na i dha 16 mijë eurot që na premtoi

103

Një vit më parë si pasojë e tërmetit që tronditi Shqipërinë, humbën jetën  51 persona.

Në mesin e viktimave të tërmetit të Durrësit u konfirmuan edhe dy shqiptarë të Kosovës  Shemsedin e Isa Abazi nga Livoçi i Epërm i Gjilanit.

Ata humbën jetën pasi mbetën nën rrënojat e hotelit “Tropikal” në Durrës.

Pas vdekjes së tyre, njerëzit e vullnetarë e ndihmuan familjen e tyre për ndërtimin e tri shtëpive të reja.

Megjithatë, edhe pse ka kaluar një vit premtimet që janë dhënë nga qeveria shqiptare për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti nuk janë mbajtur.

Së fundmi nëna e dy të ndjerëve ka thënë se kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ua ka dhënë akoma 16 mijë eurot e premtuara.

Në një rrëfim për Gazetën Express, ajo është shprehur se ajo dhe familja e saj janë ndihmuar më shumë nga qeveria e Kosovës, por jo nga ajo e Shqipërisë.

“Shteti jonë na ka ndihmu, por Edi Rama i premtoi ato 16 mijë euro për gratë (bashkëshoretet e djmeve), por asgjë s’ju ka dhënë, e jo fëmijët me i shkollu deri në master qysh ka thanë. 16 mijë euro janë folë me jau dhënë grave, asnjë cent nuk jau ka dhënë. Për ndërtimin e shtëpive na kanë ndihmuar njerëzit, Zoti i shpërbleftë. Populli na ka ndihmu”, tha ajo. Gjithsesi, 12 muaj pas ngjarjes së trishtë, Luljeta Abazi ditët i përshkruan katastrofike e netët pa gjumë.