I digjet makina, ish-deputeti: Mezi dola i gjallë

187

Vetura e ish-deputetit  Mefail Bajqinovci është përfshirë sonte nga zjarri në rrethana ende të panjohura në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Lajmi për djegjen e një veture është konfirmuar për Telegrafin nga Agron Borovci, zëdhënës i policisë rajonale për Prishtinë, sipas të cilit rasti ka ndodhur rreth orës 19:00.

Ai tha se nga zjarri është prekur edhe një veturë tjetër që ishte pranë veturës së përfshirë në zjarr.

“Rreth orës 19:00 është raportuar për një veturë me targë Kosove të përfshirë nga zjarri në lagjen Arbëria në Prishtinë. Nga zjarri është prekur edhe një veturë afër veturës që kishte marrë flakë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët e kanë menaxhuar përhapjen e zjarrit. Aktualisht policia ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve që konsistojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”, ka thënë Agron Borovci.

RTV Dukagjini raportoi se vetura është e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Mefail Bajqinovci.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë ish-deuteti, i cili tregon se në atë moment ka qenë në makinë dhe se ka shpëtuar për mrekulli.

“Vetura më është djegur dhe kam qenë në të, më shumë nuk kam çfarë të them. Ende nuk e di nëse përfshirë në zjarr nga ndonjë defekt, problem teknik apo diçka tjetër, veç gati u djega në të edhe unë”, tha ai për Kallxo.com.