11 C
Tirana
08:31 19/04/2021
Kreu Kulturë I mbijetoi sulmit me tritol, por jo koronavirusit/Shuhet gazetarja dhe shkrimtarja e...

I mbijetoi sulmit me tritol, por jo koronavirusit/Shuhet gazetarja dhe shkrimtarja e njohur shqiptare

474

Gazetarja dhe shkrimtarja e njohur shqiptare, Zenepe Luka ka ndërruar jetë nga koronavirusi në moshën 72 vjeccare.

Madje ajo arriti t’i mbijetonte sulmit me tritol në vitin 1998, por nuk ka mundur t’i bëjë ballë koronavirusit.

Luka ishte ishte infektuar me koronavirus rreth 10 ditë më parë, ku gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar, duke bërë që ajo të shtrohej në Spitalin Infektiv.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, pas infektimit me koronavirus, gazetarja shkruante nga spitali “Infektiv” se ”

Covid-19, më prek në ditën e festës… Kush më do, të lutet për mua. Do t’ia dal, duke dëgjuar këngët e mikut tim Al Bano! Pranë meje me këshillat e tyre Prof. Najada Çomo dhe Prof. Tritan Kalo”, shkruante gazetarja”.

Gazetarja dhe shkrimtarja Luka ishte vlerësuar me një sërë çmimesh, ndërsa këngëtari i njohur italian, Albano Carrisi, e kishte cilësuar atë si “Oriana Fallaci shqiptare”.

Vetëm pak javë më parë, në fund të muajit janar të këtij viti, u promovua libri i këngëtarit të njohur italian, Albano Carrisi, “Nëna ime, origjina e botës sime”, i përkthyer pikërisht nga gazetarja Zenepe Luka.Kush ishte Zenepe Luka
Zenepe Luka (Çekrezi), lindi në Librazhd, ku mori edhe arësimin tetëvjeçar. Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua gazetare. Profesionin e vështirë të gazetares e nisi në revistën “Shqiptarja e Re”, për të vijuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri”, më pas në gazetat e përditshme “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj. Ishte e para gazetare e RTSH, në terren, që u vendos në Elbasan duke mbulluar edhe rrethet Gramsh e Librazhd. Kontribut të veçantë ka dhënë në qytetin e saj të lindjes, ku për shumë vite ka punuar si lektore, hulumtuese në Muzeun Etnografik dhe në të njejtën kohë edhe gazetare e gazetës Bashkimi”. Nga viti 1994 deri në vitin 2004, ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë” për Vlorën, më pas në gazetat “Ballkan” dhe “Telegraf”.Vazhdoi të punojë si gazetare e lirë në gazetat “Koha Jonë”.”Dita”,”Shqiptarja.com” dhe organe të tjera në Diasporë. Në maj të vitit 2020, mbushi 47 vjet karierë si gazetare në terren me 12.000 shkrime të botuara, ku dominojnë zhanret e intervistës, reportazhit, kronikës,etj.

Zenepe Luka, duke qënë gjithë kohën gazetare e terrenit, i është dashur të përballonte vështirësitë, për të pasqyruar në faqet e gazetës shqetësimin e njerëzve të thjeshtë, duke u ndeshur edhe me presionin e shtetit. Ajo ka rriskuar, si askush tjetër për periudhën kur ishte gazetare e gazetës “Koha Jonë” në Vlorë, duke provuar dhunën e policisë, presionet e trafikantëve, për të mbërritur në aktin fundamentalist, vendosjen e tritolit në banesë më 10 maj të vitit 1998., ku u shkatërrua banesa dhe u plagosën dy fëmijët. Gazetarja është vlerësuar nga lexuesit, ndërsa është përballur me presione të pushtetarëve që janë kritikuar prej saj. Zenepe Luka është vlerësuar nga këngëtari i madh italian, Al Bano Karrisi, që i ka akorduar Premion” Zenepe Luka është Oriana Falasci shqiptare”. Me rastin e 45 vjetorit të karierës, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, e vlerësoi me “Mirënjohje”,  ndërsa Unioni i gazetarëve në Vlorë me çmimin “Petro Marko”.