‘Jam terrori i mëngjesit’ / Plani për vjedhjen e kokainës zbuloi ‘skifterat’, mes tyre edhe gardistin

227

Një plan për vjedhjen e një sasie kokainë dhe orëve të floririt në banesën e shtetasit E. Mosko në Tiranë ka zbuluar një grup kriminal të vjedhjeve me armë e dhunë dhe vendosjes së tritolit.

Gjithçka ka nisur orët e para të mëngjesit të 22 majit 2020 kur në ballkonin e banesës, Mosko ka pikasur se me shkallë po i futeshin dy persona. Ai është përleshur me ta duke i larguar, dhe skena është filmuar nga kamerat e sigurisë duke identifikuar tre të dyshuar.

Pak orë më vonë, Mosko merr një telefonatë me fjalët “Unë jam terrori i mëngjesit“. Pasi ka bërë denoncimin, Mosko është ritelefonuar dhe persona të ndryshëm i kanë kërkuar të tërheq kallëzimin, por ai s’ka pranuar.

Hetimet e Prokurorisë dhe përgjimet e grupit kanë zbuluar përfshirjen e një pjesëtari të bankës së nivelit të dytë dhe një punonjësi garde, i cili në grup njihej me pseudonimin “Guli“.

Sipas hetimeve, Guli që më pas rezultoi se ishte Aleks Kala i jepte shokëve të vjedhjeve armën e shërbimit dhe vetë ndiqte nga makina aksionin.

Në pranga si pjestarë të grupit ranë Spartak Qoku, Aleks Kala, Petro Sava, Emel Hajdari, Andi Kraja, Klaudio Metaj.

Si pjesë e grupit është arrestuar më herët edhe Franc Halimi, i cili u zbulua teksa me biçikletë vendosi një sasi tritoli në lokalin pranë ‘Petro-Ninit’ në pronësi të Arben Koçollarit. Për të gjithë këta shtetas u caktua masa e sigurisë ‘arrest në burg’ deri në përfundim të hetimeve.