Jo fushatë pro vetes, por kundër tjetrit

58

Për xha Petron e xha Veselin, dy veteranë që jetojnë pranë pallatit tim, debatet mbi pandeminë dhe protagonistët politikë, nuk sollën asgjë të re. Këtë dëgjova t’i thonin njëri-tjetrit, ndërsa u takuan për një ecje të shkurtër e të maskuar rreth lagjes. Secili priste të dëgjonte politikbërësit e politik-kandidatët, të shprehnin udhëzime të reja, por asnjëri nuk ua bëri qejfin.

Secili u kujdes të përdhosë tjetrin, të dekurajonte votuesit, e të nxehte fjalët, e të bëhej njëherësh, viktimë e sulmues. Ajo që xha Petro kishte fiksuar kur luante stacionet e televizorit të enjten, ishte se njëri po dekurajonte mbështetësit e tjetrit, më tepër sesa të inkurajonte votuesit e “vet” besnikë, për zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa ajo që xha Veselit i kishte mbetur në mendje, ishte se duke përmendur gjithë kohën “dëmin” që kishte shkaktuar paraardhësi, tjetri po përligjte mosbërjen e vet. Ja këto po flisnin rrugës, ndërkohë që të dy ishin në një mendje se takimet elektorale janë edhe vatra infeksioni.

./Descript.al-Paracetamoli/

*Kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta