“Kameleonët” e diktaturës, që po na servirin krimin si kulturë

50

Politika e komunizmit në Shqipëri me ardhjen e demokracisë, ose më saktë me tranzicionin e viteve 90, është zëvendësuar me atë pseudodemokratike, ku aktiviteti politik i sotëm nuk është asgjë tjetër veçse përdorimi i shoqërisë në mënyrë abuzive për mundësinë e artë të pasurimit përmes përdorimit të ligjit në favor, biznesit të pisët, kriminalitetit, trafikimit, drogës, kontrabandës e korrupsionit.

Prandaj pjesëmarrja në politikë synohet masivisht.

I vetmi ndryshim i politikës së sotme nga ajo e para viteve 90, janë kostumet dhe kollaret me vlerë mijëra euro, që mbulojnë lëkurën e të ashtuquajturve politikanë, që me mjaft klas imitojnë kameleonin.

Kollare shumë ngjyrëshe, maska me lule blu e të kuqe, sherre disa javore politike në distancë, që shuhen me një gotë verë, që të jep përshtypjen se po gatuhet turlia e radhës.

Komunistët ishin funksionarë të devotshëm, gardistët më besnikë të diktaturës dhe pionerët e Enverit, ata më shembullorët të rritur, të përkëdhelur dhe edukuar në oborrin e sistemit.

Në këtë pseudodemokraci, disa prej tyre u bënë deputetë të përjetshëm, e disa të tjerë përcollën idetë e të parëve e më pas zgjodhën të qëndrojnë skutave të Kuvendit, të tjerë u bënë shtetarë e pushtetarë të lartë, presidentë e kryeministra.

Me hipokrizinë e reformave dhe të “rilindjeve”, u justifikua dhe po justifikohet “pastrimi” i administratës dhe i politikës duke promovuar pasardhësit e diktaturës dhe individëve pa personalitet, të paaftë e servilë që i binden lehtë urdhrave politikë dhe korrupsionit.

Janë këta persona që të drejtën “komuniste” të terrorit dhe të luftës së klasave e zëvendësuan me të drejtën “demokratike” të krimit e korrupsionit. Kjo ndodhi vetëm se drejtësia mbeti dhe u qeveris po nga ata juristë të pashpirt dhe kriminelë të ish-diktaturës, që me vendimet e tyre politike vranë, burgosën, persekutuan dhe internuan me qindra mijëra shqiptarë për rreth 50 vite.

Pasardhësit e maskuar të komunizmit janë kapitalistët e politikës, pushtetit dhe ekonomisë, që nuk e kanë aspak e vështirë të vigjëlojnë, në mënyrë që askush tjetër të mos bëhet pjesë e përkatësisë së tyre, të mos lejohen të bëjnë bëhen pjesë e jetës politike, administrative, juridike etj.

Me pak fjalë, në Shqipëri fantazma ideologjike e komunizmit, dhunës dhe frikësimit masiv u shndërrua në një kafshë grabitqare, materialiste, që ka korruptuar rëndë shoqërinë dhe e ka falimentuar sot shtetin. Ndaj jemi aty ku ishim, më të varfrit, më të pasigurtët dhe më të paintegruarit në Europë.

Me gjithë praninë, monitorimin dhe ndihmën e e SHBA-së e BE-së, akoma nuk kemi ndërtuar shtetin ligjor e me shumë gjasë situata do të vijojë e njëjtë, si një ndëshkim i vazhdueshëm, ku pasurimi i shpejtë, paraja e pisët, droga, bixhozi dhe sidomos korrupsioni, po i serviren në masë shqiptarëve si kulturë./ Descript.al