Kompania gjermane teston në njerëz vaksinën kundër Covid-19

206

Një kompani gjermane që punon me gjigantin farmaceutik amerikan Pfizer ka filluar të testojë tek njerëzit një vaksine të mundshme kundër Covid-19 që mund të furnizojë miliona deri në fund të vitit, sipas dy firmave.

Pfizer thotë se do të fillojë testimin e vaksinës eksperimentale në Shtetet e Bashkuara javën tjetër, dhe shton se kjo vaksinë mund të jetë e gatshme për përdorim urgjent në vjeshtë, raportoi të martën Wall Street Journal.

BioNTech me bazë në Mainz raportoi se në grupin e parë të pjesëmarrësve u ishin dhënë doza të vaksinës.

“Dymbëdhjetë pjesëmarrës në studim janë vaksinuar në Gjermani që nga fillimi i studimit në 23 Prill 2020”, tha kompania në një deklaratë.

Asnjë informacion mbi rezultatet nuk është aktualisht i disponueshëm. BioNTech tha se rreth 200 vullnetarëve të shëndetshëm të moshës 18 deri 55 vjeç do t’i jepen doza që variojnë nga 1-100 mikrogram për të gjetur dozën optimale për studime të mëtejshme.

“Përveç kësaj, siguria dhe imunogjeniteti i vaksinës do të hetohet”, shtoi ndërmarrja bioteknike.

Pfizer dhe BioNTech kanë në plan të fillojnë testimin e vaksinës  në ShBA.

Instituti Federal Gjerman për Vaksina dhe Barna Biomjekësore miratoi testimin e parë klinik të vaksinës kundër Covid 19 – në 22 Prill.

“Të dy kompanitë planifikojnë të kryejnë së bashku prova klinike për kandidatët për vaksina COVID-19 fillimisht në Evropë dhe Sh.B.A, nëpër vende të shumta kërkimore,” njoftoi Pfizer në raportin e tij të tremujorit të parë, botuar në internet të martën.

“Kompanitë vlerësojnë se ekziston mundësia për të furnizuar miliona doza vaksinash deri në fund të vitit 2020. Nëse vaksina rezulton e suksesshme, autoritetet rregullatore duhet të miratojnë prodhimin e qindra milionave doza në vitin 2021”-thuhet në deklaratën e kompanisë.