Konflikti Izrael-Palestinë/ Rritet numri i të vdekurve nga sulmet ajrore, BE bën thirrje për uljen e tensioneve

88

Bashkimi Evropian bëri thirrje t’i jepet fund menjëherë përshkallëzimit dhe dhunës në Izrael dhe Palestinë, raporton Anadolu Agency.

“Përshkallëzimi i rëndë në Izrael dhe Territorin e Pushtuar Palestinez, duke përfshirë rritjen e dhunës në dhe rreth Gaza, duhet të ndalet,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell,në një deklaratë.

Ai tha se blloku ishte “i tronditur nga numri i madh i vdekjeve dhe plagosjeve civile, duke përfshirë fëmijët”, dhe u kërkoi të gjitha palëve të shmangin konfliktet.

“Gjithçka duhet të bëhet për të parandaluar një konflikt më të gjerë,” theksoi ai, duke shtuar se “në Jeruzalem, status quo-ja në vendet e shenjta duhet të respektohet dhe liria e adhurimit të garantohet.”

Borrell kritikoi ashpër të dy palët, duke e quajtur “lëshimin pa kriter të raketave nga Hamas dhe grupe të tjera drejt civilëve izraelitë” të papranueshëm, ndërsa i bëri thirrje Izraelit të jetë proporcional dhe të tregojë përmbajtje pasi ushtron “nevojën e tij legjitime për të mbrojtur popullsinë e saj civile”.

Të paktën 56 palestinezë, përfshirë 14 fëmijë, u vranë dhe mbi 350 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite, sipas shifrave të fundit.

Gjashtë izraelitë gjithashtu janë vrarë dhe mbi 45 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me raketa nga Rripi i Gazës.

Tensionet janë duke u rritur që kur një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze nga lagja Sheikh Jarrah të Jeruzalemit Lindor.

Bregu Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor, shihet si territor i okupuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë kështu të gjitha vendbanimet hebraike atje të paligjshme.

BE-ja i ka bërë thirrje vazhdimisht Izraelit që t’i japë fund të gjithë veprimtarisë së vendosjes dhe të shpërbëjë ato tashmë ekzistuese që nga viti 2001.

Gjatë javës së kaluar, diplomacia e BE u ka kërkuar të dy palëve të ulin tensionet dhe të rifillojnë negociatat drejt një zgjidhje me dy shtete.

Ashtu si Turqia dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, BE nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi territoret që ka okupuar që nga viti 1967.

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016