Koronavirusi/ Basha në PPE: Shqipëria, vendi me numrin më të ulët të testimeve, qeveria nuk merr asnjë masë

92

Kryedemokrati gjatë një bisede online të Asamblesë Politike të Partive Popullore Europiane ka denoncuar situatën e rëndë shëndetësore në vend dhe mungesën e masave për të menaxhuar koronavirusin nga ana e qeverisë.

“Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve, çka e bën të pamundur në një anë identifikimin në kohë të të infektuarve me COVID-19 dhe trajtimin e tyre në mënyrë profesionale, dhe në anën tjetër shkëputjen e zinxhirit të infektimit. Sot, numri i të infektuarve është rritur dhe shtrirë kudo, fatalitetet po ashtu, ndërsa kapacitetet spitalore janë ezauruar. Shqipëria vuan dhe mungesën e stafeve mjekësore, pasi ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për banor.

Basha ka kërkuar ndihmën e vendeve anëtare të BE, që janë pjesë e PPE, për të asistuar Shqipërinë me furnizimin me vaksina kundër COVID-19.

“Ndihma e vendeve tuaja me vaksina anti-COVID, në çfarëdo sasie që të jetë, është mëse e mirëpritur, dhe ne do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës. Vendi im dhe qytetarët e mi, jane në një situatë tejet të vështirë, e cila sa vjen dhe po përkeqësohet. Prandaj, ju lutem na ndihmoni në këto kohë tejet të vështira”, u shpreh kryedemokrati.