Kosova dhe Serbia zhvilluan bisedime në Bruksel, qëndrime të kundërta mes palëve

14

Pas një muaj ndërprerje përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë zhvilluan në Bruksel një raund bisedimesh në nivel ekspertësh të përfaqësuar nga kordinatori shtetëror i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç.

Takimi u ndërmjetësua nga i ngarkuari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Kemi bërë një hap tjetër drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin duke zhvilluar një raund të dytë bisedimesh mbi pretendimet financiare dhe pronën”, shkroi Lajçak në Twitter, duke paralajmëruar së shpejti vazhdimin e bisedimeve, por pa dhënë data.

Me gjithë diskutimet e gjata për pensionet dhe kadastrën ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve dhe diskutimet për këtë element të marrëveshjes së përgjithshme për pretendimet financiare dhe e çështjet të pronës midis dy vendeve do të vazhdojnë në takimin e radhës.

Petkoviç këmbëngul për Asociacion me kompetenca ekzekutive. Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës nuk përmendet që palët kanë folur edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kërkesë kjo e vazhdueshme e qeverisë së Serbisë.

Kryesuesi i palës serbe në dialog, që është njëkohësisht drejtori i ri i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha pas takimit se në bisedime “u ngrit edhe çështja e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe”, dhe sipas Petkoviç, “zbatimi i kësaj marrëveshje është i nevojshëm për vazhdimin e dialogut që do të ndihmonte në ndërtimin e besimit shumë të nevojshëm midis të dy palëve”.

“Pa formimin e Asociacionit ne nuk mund të përparojmë në dialog. Ne do të shohim se si pala e Prishtinës do të veprojë tani për këtë çështje. Ajo flet për mundësinë e formimit, siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, e cila është e papranueshme, sepse për të nuk është rënë dakord në Bruksel, nuk është pjesë e parimeve të dakorduara në vitin 2015.

Diçka që mund të quhet organizatë joqeveritare, nuk na duhet, na duhet një institucion serioz, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe me kompetenca ekzekutive”, tha Petar Petkoviç.