Kosova na kthen “kusurin”

131

Akoma pa e tretur mirë lajmin më të madh të ditëve të para të vitit, atë të sigurimit të 500 mijë vaksinave anticovid, nga Pfizer, e akoma pa mbaruar bekimet për kryeministrin tonë njohjemadh, i cili jo vetëm “na ngrohu” që vaksina po e gjen rrugën për në Shqipëri, por edhe mendoi për t’i dhënë edhe Kosovës, na vjen një lajm “i ndrojtur”, thuajse i pazhurmë, se Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina tani, e 350 mijë të tjera, me të cilat ka mbyllur marrëveshje (Fjalia doli kaq e stërgjatë, se edhe lajmi rrugë të gjatë bëri). Njoftimi doli gjithë ndrojtje, gati gati si “leckaman”, gjithë përtesë, pa asnjë zhurmë mediatike, por me 2 fjalë nga ministri i shëndetësisë, në facebook.

Madje të mos e kishte raportuar ndonjë korrespondent nga shteti tjetër shqiptar, nuk do kishim marrë vesh gjë. Tamam shtet në ndërtim Kosova.

Po çfarë ju kushton more vëllezër, të harxhoni nja 2 orë të thjeshta për të dhënë këtë lajm!

Po pse bëni gjithë këtë “deal” me kompanitë farmaceutike dhe e komunikoni sikur thjesht bëni detyrën!

Po tregojuani mor njerëzve, ta dinë se çfarë qeverie kanë, e çfarë kryeministri kanë…Lërini mor këto budallallëqet e tjera politike dhe mblidhuni bashkë e dilni nëpër ekrane, se mirë ju bën. Me atë rast kapni edhe ndonjë votë. Po mire mor Armend a si të quajnë ty të Shëndetësisë në Kosovë, pse na e “menderos” stilin? Me çfarë kuraje shkon e shkruan 2 rreshta dembelë në facebook dhe kaq. Dil mor aty me kryeministrin, presidenten, kandidatin për president…po nejse, punë kosovarësh.

E sikur të mos mjaftojë kjo, por shkon e rendit si grupe prioritare për vaksinën, mjekët e të moshuarit. Po policët ku m’i le? E pas tyre mësuesit?

Ne i kemi vënë në krye të listës, e sipas Gjergj Kojës, ata janë më të vlefshëm, se këta të moshës së tretë e të katërt, nuk është se kanë edhe shumë vite natyrale jetë.

E për më keq akoma, çfarë na thanë andej nga kabineti juaj, ato 350 mijë vaksinat që keni siguruar veç 500 mijëshes, do t’i ndani me Shqipërinë? E ç ‘është kjo? Vetëm Shqipëria e ka të drejtën të ndihmojë Kosovën, e anasjellta nuk ka si ndodh. Nuk duam “kusur” nga ju, se kryeministri ynë, do t’i sigurojë 350 mijë e 1 vaksina shumë shpejt…Pooor, nuk kemi për t’iu dhënë asnjë…Se ju të prishni planin.

/Descript.al-Paracetamoli/

*Kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta