Ku ta pi atë të shkretë kafe?!

71

KAFE ME “IDIOTË…- SI”

Kur ulesh në fund të javës dhe mbledh “kallaballëkun”, para një kafeje, duke qenë krejt vetëm, nuk ka sesi të mos rufisësh sa më shpejt filxhanin, që të heqësh sa më shpejt shijen e hidhur të javës. Një javë krejt idiote, po kësaj radhe, fjala IDIOTE nuk ka nevojë për thonjëza, sepse thuajse ishte prezente në debatin politiko-publik, të cdo dite.

PËRPLASJA E “TITANËVE”

“Përroi intelektual” që mbushën nëpërmjet rëkeve të cdo dite, kryeministri dhe presidenti, nuk lënë vend për dyshime për sa më sipër. “Derdhja” e korifejve të ditës sonë, në epitete që lavjerrësohen, nga fjalori i cmendinës e deri tek drama e fortë e luftës e historisë, na e zbukuruan ditën tonë, “të gëzueshme” që sa lind. Ndërsa kaloja për të pirë kafen e mëngjesit, duke tentuar edhe të zgjedh një vend ku nuk flitet për atë që u fol gjithë javën, pashë nja dy miqtë e mi, që po qanin hallin se cili midis Ramës dhe Metës ka të drejtë, cili është i miri dhe cili i keqi…se për të shëmtuarin binin dakord që ishte Saliu. E bukura me muhabetet e shoqnisë është se secili merr argumentet e atij për të cilin bën tifozllëk dhe ia përplas tjetrit fytyrës, duke pritur ndërkohë edhe fshikullimën e shokut. Madje  biseda parimore, përfshin edhe diskutimin se tek për tek, Meta e ha Ramën, se bën stërvitje, ka qenë shtangist, po edhe e ka kokën e fortë.  Tjetri i kundërvihet me argumentin e gjatësisë së Ramës, dorën e madhe dhe elementin e befasisë. Por hyn një tjetër shok i yni dhe ua bëri çorap bisedën: Rama e Meta janë pjesë e së njëjtës “mitër politike“, ndaj e mbajnë qëllimisht dramaticitetin e lartë, për të qëndruar fuqishëm në elektorat. Të dy miqtë që debatonin mes tyre, u turrën ta rrahin atë të tretin, në kuptimin e parë të fjalës. Por si i shkathët që është, i treti kërkoi edhe 3 minuta kohë për pak argumente: “Duan protagonizëm për të mbijetuar, sepse kanë qenë dhe janë përgjegjës drejtpërdrejtë për këtë pocaqi demokraci që ka Shqipëria prej 30 vjetësh. E meqë kanë shteruar në argumente të qëndrueshëm politikë, shkojnë e “kapin material“ nga historia, duke sajuar përplasje të kota, duke vënë njerëzit në komente, e duke i bërë ta largojnë mendjen nga mënxyra që prodhojnë realisht. Margarita Tutulani, Teuta, Ilirët e lashtë, Vojo Kushi, e heronjtë e vërtetë të luftës, janë lëndë e mirë për t’i bërë njerëzit të merren me ta, derisa korifenjtë të gjejnë argumentin e radhës“. Pas këtyre fjalëve, heshtën 2 shokët e parë…Nuk është se miku i tretë po thoshte budalliqe. Argumentet rrinin…Po prapë se prapë…

Me të menduar këtë, u bënë bashkë 2 shokët e sherrnajës së parë, e iu kundërvunë të tretit. Ik ore se nuk e bëjnë këta tanët kot gjithë këtë zhurmë, se ata e bëjnë për kombin. Ore e kupton që do bëhen 3 aeroporte, 4 porte, autostrada etj etj? E kupton që e duan vendin dhe gjithcka e bëjnë për të? Ik ore konspiracionist!

………………………………………..

AHENG-POLITIKË

Eca për një vend më të qetë, por sërish ndesha në ca “artistë që flisnin për artin e mirëfilltë“. Gara “e çmendur“ politike, për të marrosur sa më tepër njerëzit, këtë javë prodhoi edhe realitetin e rekrutimit të artistëve e këngëtarëve. Këtë argument kishin edhe dy shokë të tjerë që kam në lagje, patjetër po flisnin edhe për këtë emrat e famshëm të artit që i kanë marrë ndoshta “për një përdorim“, në këtë fushatë parazgjedhore. Përvec ish-missit Selimllari, që ka qenë promovuese e kompanive të famshme të detergjentëve, që nuk bën pjesë as tek artistët dhe as tek këngëtarët, të gjithë të tjerët, kapën një nga një, artistë të suksesshëm, por edhe psedo artistë, e pseudo të suksesshëm. Njëri prej shokëve, mburrej se njerëz me vlera si Eli Fara e Kastro Ziso, ia kanë shtuar përmbajtjen artistike socialistëve. Tjetri e kundërshtoi gjithë nerva, sidomos për Eli Farën, e cila sipas tij, kishte qenë goxha republikane më parë. Nuk u kuptua qartë se cfarë donte të thoshte, po nejse. Ndërsa për Kastron…(e prishin pak fjalorin ky shoku)…“I kanë thënë të mos bëjë mall nja 6 muaj, se pastaj do ketë plot për 4 vjet rresht“ – ia këputi pas pasur asnjë pishman. “Po ca artisti është ai, vetëm bën si debil në skenë, zhvishet e lyhet…e tani njerëzit t’i besojnë“…U shanë me njëri-tjetrin, akuzuan si të vjetëruar sho-shoqin, por nuk e ndalën argumentin.

“Aurela Gaçen dhe Erandën e duam ne….ju mbani Ponin dhe Devis Xherahun“- u hodh ky që mbështet Bashën.

“Po ne marrim Arditin mor, do marrim dhe Marina Vjollcën“…

Ti mbaj Marinën, ne marrim Luanën edhe 2 motrat e tjera…se nuk e di ti që janë 4 ato. Kemi edhe Jul Dedën.

O na trembe, edhe ne kemi Gaz Pajën, bashkë me Bes Kallakun.

Besi është i yni, nuk e ke parë ti me Metën?

Po mirë, ne marrim Noizin, Mandin e Nish-Tullës dhe Genën…

Kemi Stresin, Sabjanin dhe Sinanin….

Biseda vijoi gjatë, ndërkohë që unë kalova më tutje, jo pa e vrarë mendjen në fakt: Po Fifi me kë do të bëhet?

………………………………….

MASKA…RA, APO ËSHTË NË FUQI!

Më tutje, një tjetër dyshe të njohurish që nuk e kanë për gjë të kacafyten për partitë, por që e kanë emrin të dy, tek lista e marketit të lagjes. Duhet maska, nuk duhet maska ishte historia.

“Ça është ky muhabeti i maskës në ambjente të hapura! Nuk është në vete ai i gjati. Ne shyqyr dalim nga Liqeni për pak ajër”- shan njëru.

“Për të mirën tënde e ka…Se kur të kap virusi, bën si i cmendur pastaj e do shpëtim”.

“Ore po ai tha që do i fali gjobat e atyre që u penalizuan në kohë karantine e që nuk vinin maskat. Tani do i gjobisë prapë, e do na e fusë cmimin tek fatura e dritave…A mbush ai apo jo!”

“Po i fali pra, se ai fal…nuk është pa zemër. Epo njerëzit duhen ruajtur, se në fund, ishte faji i qeverisë thoni të gjithë”.

“Ore po si do e shohë nëse kam apo jo maskë? Do vijë polici në shtëpi? Apo do përgjojë në lokal? Do ta hamë sa krahu, me maskë pa maskë, do na e zhysë tek dritat…se pak na e ka cuar faturën, sikur të kishim termocentral në shtëpi”.

“Do e gjejë ai zgjidhjen, se humb kohën duke u marrë me disa si ti”…

Vazhdova të eci, duke I lënë miqtë të gjenin zgjidhjen. Kjo ishte rruga deri tek kafeja. Njerëzit të gjithë në alert, por pa asnjë gjë në vijë. Këto fushatat prodhojnë idiotësi origjinale…ndoshta vetëm për këtë vlejnë.

Ta paguaj pak- i thashë kamarierit…Edhe u drejtova për tek farmacia më e afërt, për një pako Takipirinë…e  6 maska….