Kur ministri i Brendshëm të ofendon duke të quajtur ‘Polic’…

103

Një debat me tone të forta është zhvilluar në seancën e djeshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, mes ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe deputetit të opozitës parlamentare, Myslim Murrizi.

Shkak për këtë u bënë deklaratat e deputetit Murrizi se Policia po keqpërdoret në rastin e kontrolleve për vendosjen e maskës nga ana e qytetarëve, në një kohë kur ato falen pak më vonë nga vetë kryeministri Rama.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit Lleshaj, i cili duket ka humbur toruan dhe ka shpërthyer në fyerje personale ndaj Murrizit, të cilit i përmendi dhe zërin e hollë dhe faktin se dhe vetë ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe sipas tij ka dalë i dështuar.

Unë krahasohem vetëm me veten time dhe nuk besoj që mund të më bëni krahasime me asnjë njeri. S’e keni as atë tagër. Duhet t’ju them që policia nuk ka asnjë objekt të merret me deputetët, por policia as nuk njeh ndonjë hierarki përballë ligjit. Përballë ligjit, besoj që deputetët janë ata të parët që duhet të japin llogari. Jam ministër dhe po të them, në qoftë se ti kërkon të bësh politikë e të fitosh pikë me policinë, harrojë që mund të fitosh. As dua të jem i ngjashëm me ty. Polic ke qenë dhe polic ke mbetur. Po mos kujto se mund të fitosh pikë përballë policisë. Je polic, ke qenë polic dhe ke dështuar në policinë financiare dhe po të them që harroji këto intimide ndaj policisë. Zbatoje ligjin sepse përballë ligjit ti je askush. Mos u përpiq të trashësh zërin sepse e ke organikisht të pamundur ta trashësh, sidomos me mua. Ti s’e di se nga jam unë more?!” u shpreh ministri Lleshaj në shpërthimin e tij aspak dinjitoz ditën e djeshme në Kuvend.

Diçka e papritur? JO! Kujtojmë këtu se vetëm një javë më parë, por nga foltorja e Kuvendit, po ky ministër lëshoi një vrull komentesh seksiste ndaj një deputeteje, teksa i tha të rrijë e qete se ai nuk i fut duart atje ku nuk duhet.

Komente këto aspak dinjitoze, jo vetëm për një burrë të moshës së tij, as për një ushtarak siç ka qenë ai, por as si ministër i Brendshëm e aq më tepër si një bashkëshort, që ka një grua në shtëpi.

Ndoshta një përpjekje kjo e dështuar e tij për të imituar deri diku shefin e madh, por sikur të mos mjaftohej me aq, do të vinte shpërthimi i tij ndaj një deputeti, si Myslim Murrizi, duke e telendisur si mos më keq, e duke e quajtur atë ‘POLIC’.

A thua se të jesh polic është diçka e rëndomtë dhe e pavlerë, ndërkohë që dalin çdo ditë në media, me kronika disa minutëshe, me video live, të krehur e të pispillosur gjithandej për të reklamuar punën e Policisë së Shtetit, me në krye të madhin Gjeneral Lleshajn, si një ministër ‘histori suksesi’ në të gjitha qeveritë.

E me këtë që ai tha, nuk dimë se sa do ta ketë më respektin e atyre punonjësve të Policisë së Shtetit, që nga më i madhi në gradë dhe detyrë, e deri tek ai polici më i thjeshtë, i cili punon gjithën ditën e ditës për të marrë atë rrogë që merr.

Deri më tani ndonjë reagim nga ‘i madhi’ nuk kemi pasur, por as nga ndonjë prej të punësuarve të tij të propagandës qeveritare, për të ‘mbuluar diellin me shoshë’.

(Descript.al)