Kuvendi e nisë me 1 minutë heshtje, Gramoz Ruçi: Qeveria të përmbush objektivat e rindërtimit

91

Në nisje të seancës parlamentare të kësaj të enjte është mbajtur një minutë heshtje, në përkujtim dhe nderim të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi mbajti fjalën i pari duke garantuar se procesi për rindërtimin, për rikthyer në banesa të gjithë ata persona që mbetën të pastrehë  do të vijojë.

Ruçi i bëri apel qeverisë që të realizojë objektivat

Fjala e Ruçit:

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit.

Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura.

51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijëra familje mbetën të pastreha.

Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

Pushofshin në paqe!

Të nderuar kolegë, Tërmetit të 26 nëntorit, kësaj goditjeje natyrore iu kundërpërgjigj  një solidaritet i fuqishëm  njerëzor. Qindra mijëra qytetarë kontribuuan me sa mundën për të lehtësuar barrën e përballimit të pasojave të tërmetit.

Sfida e qytetarëve po mund sfidën e natyrës. Përgjigja e Qeverisë e institucioneve edhe solidariteti i qytetarëve shqiptarë inspiruan mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare. Konferenca e donatorëve e shkurtit 2020, me moton “Bashkë për Shqipërinë”, mobilizoi  për rindërtimin një ndihmë jashtë çdo parashikimi: 1.15 miliardë Euro, prej të cilave 300 milion dhuratë.

Përpjekjet tona për rikthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre të rindërtuara apo të reja, nuk u  ndalën, nga pandemia e Covid-19, e cila shpërtheu në kulmin e rindërtimit. Kuvendi inkurajon punën e Qeverisë për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia. Fuqia, shpresa dhe besimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë. Solidariteti e dashuria  njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet.

Ju faleminderit.