Lajçak: Ndryshimi i kufijve në Ballkan është një ide që shkakton luftë

38

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka  komentuar dokumentin “non-paper”-in e parë të publikuar së fundmi në të cilin përshkruheshin ndryshime të kufijve në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Sipas Lajçak, ideja e rivizatimit të kufijve nuk është diçka e re dhe se ka qenë e pranishme për vite të tëra.

“S’dua ti komentoj këto letra. Ideja e rivizatimit të kufijve nuk është ide e re, ka qenë këtu për vite. Unë plotësisht jam kundër një ideje të tillë. Është tërësisht e rrezikshme dhe ide që provokon luftë”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se dialogu nuk është prioritet kryesor për të, duke thënë se “në politikë s’mund të zgjedhësh prioritetet, por ato të zgjedhin ty”.

Siç raportojnë mediat, Lajçak ka thënë se ka shërbyer për një kohë të konsiderueshme si ministër i Qeverisë së Sllovakisë dhe se nga ajo eksperiencë ka mësuar që “nuk je ti që zgjedh prioritetet, por ato të zgjedhin ty”.