Listat e hapura…nga mesi e lart

62

Shqiptari i mirë të cilit kanë filluar “t’ia luajnë” rëndshëm këta të politikës këto kohë, prapë nuk u kapërdi siç duhej, pas votimit të Kodit të Ri zgjedhor.

Atë punën e listave nuk e mori vesh tamam, atë të koalicioneve, as e kuptoi fare, fjalët e ndërkombëtarëve, iu dukën më tepër kinesçe se anglisht…e në fund, e ndau mendjen se në 25 prill, prapë do pyesi që të kuptojë si votohet. U interesua i shkreti të kuptonte, duke dëgjuar Rudina Hajdarin që bërtiste, duke dëgjuar Edi Ramën, si tallte “pragun“ me opozitën parlamentare, e duke lexuar Ilir Metën që thoshte se do bëhet nami, nëse votohet Kodi i Ri. E kuptoi sesi deputetët e opozitës në Kuvend, u bënë pistil nga kryeministri, i cili nuk harroi t’u përmendë se ata ishin thjesht “bixhozxhinj“, të cilëve ai vetë, u dha ca letra të përkohshme fituese, për t’u marrë disa vota, e më pas, ju kujtoi “statusin“ e bingo-xhinjve, e rakipirësve, që kishin meritë vetëm të kapinin “zogun“ që ju erdhi, vetëm një herë, në dorë.

Po ato listat nuk i mori vesh tamam…U hapën? U mbyllën? Qëndruan siç ishin? U hapën përgjysëm? Gjysma lart, apo gjysma poshtë?

Shumica bërtiti se listat janë hapur, por prapë vendos kryetari. Opozita pretenduese e pushtetit, nuk e kundërshtoi fort këtë pikë, i bëri një “skip diplomatik”, se nuk është se i leverdis shumë t’i hapë të gjithë mbi tryezë. Përtej përbetimeve, në këtë pikë të rëndësishme të demokracisë, gjërat mbetën në vend. “Gatimi i brumit” i qëndroi të njëjtës “recetë”, ndryshoi vetëm “gjella” sipër…kësaj radhe nuk u bë byrek me gjizë, por me presh.

Më pas dëgjoi shqiptari edhe ndërkombëtarët…ata si gjithmonë: këshillojnë, sugjerojnë, bëjnë presione momentale….këmbëngulin tek proceset për të cilat kanë paguar para për t’u bërë dhe….në fund… thonë “kokën hëngshi”. Aq inat i erdhi këtij shqiptarit me “të pispillosurit” e Brukselit, apo Strasburgut”, saqë do t’i ishte zbrazur keqazi po t’i kishte përballë. Po ndajeni mendjen dreqin: Votimi i Kodit Zgjedhor, ishte proces normal apo jonormal. Ishte sic duhej për të ecur Shqipëria, apo ishte “vari integrimin”. Ishte punëprishës për hapjen e negociatave, apo punëndreqës? Po si nuk e thatë njëherë troç!

Se pastaj na kujtojnë atë që na e ka thënë Konica me kohë: Shqiptarët thonë “na iku prapë treni”…nuk thonë “e humbëm prapë trenin”.

E pasi bëri gjithë këtë të menduar vendçe, prapë iu kthye lajmeve shqiptari. Po sikur të pyes njëherë për punë-mbarimin, Valbona Selimllarin?

/Descript.al-Paracetamoli/

*kjo është rubrikë satirike, jo pa të vërteta