Listat që po na lenë “gojëhapur”

76

Mos më thoni që nuk e keni vënë re sesi kohët e fundit, janë shtuar njerëzit që flasin me vete. Nuk e kam fjalën për ata që flasin me kufje me bluetooth, se ata arrijmë t’i shquajmë që nuk qenkan “debilë” që flasin e qeshin me vete, pasi u afrohemi. Por janë shtuar ata që flasin me vete, pa kufje, pa telefon, besoj pa mendje…e rrezik edhe pa e pasur veten në dorë. Po natyrisht…Ja njëri prej tyre po vendoste me mendjen tjetër të tij, nëse do të “përqafojë” listat e hapura zgjedhore të PS-së, apo listat e hapura të PD-së! Ore po për shpirt, ai kërkon që të zbatohen listat e mbyllura…tek marketi i lagjes, ku një herë në muaj, paguan atë që ha gjithë muajin.

E aty lista ka shkuar sa topi i letrës higjenike. Dëgjon i shkreti debate në televizion, po prapë nuk e sheh të qartë. Të gjithë flasin për lista të hapura, po cilat hapen më tepër, nuk e kupton. Be e rrufe te ftuarit që hapja e njërit është hapje pa file, hapje “bio”…Por më fort bërtet tjetri, i cili lexon live një mesazh, që pretendohet t’ia ketë nisur një jurist me përvojë politike, por që nuk do të identifikohet. Çfarë të bëjë njeriu i gjorë! Të paktën kthen kanal, e shkon tek ca tematika të tjera.

Diskutimi diku tjetër bëhet për Gjykatën e Hagës që do caktojë çështjen e Detit me Greqinë. Po ne fiks për në Hagë jemi, se kemi edhe precedentë pozitivë shumë nga Haga. Deri tani çështjet në favorin tonë janë zero…Apo do thyejmë akullin. Pak i shohin shtrembër shqiptarët ata, e pak do punojnë “lobistët e tmerrshëm” grekë, seç e kapi frika njeriun se mos bashkë me 12 miljet, na ikën edhe ndonjë 10-çe tjetër, e po na vjen Korfuzi deri në Ksamil. Po aman, çfarë na ka zgjidhur Bota neve, që po na zgjidh detin! Pastaj, si vihet në diskutim një territor, nga një Gjykatë e tillë? Po sikur kemi edhe ne një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e ca parime barazie…apo ç’i deshe….

E heq njeriu edhe nga ky kanal, se zihet ngushtë ku do bëjë plazh vitin tjetër. Fluturimthi kap lajmin e minatorëve të shkretë të Ballshit, që kanë 27 muaj pa rroga. Shtyhen e bërtasin të gjorët, për problemin, për të cilin vetëm ata nuk kanë faj. Çfarë marrin përgjigje? Që privatizimi është bërë në kohën e Berishës. Aaa kjo po…tani me siguri ata do të qetësohen e nuk do të bërtasin më. Pra fajtori i gjet, pavarësisht se naftëtarët do të hyjnë në muajin e 28-të pa çuar asnjë kacidhe në shtëpi.

Ndërroje kanalin aman…Atentat në Tiranë, plagoset rëndë njëri…Policia thotë që ngjarja ishte e mirëorganizuar, autorët në arrati. Po aman o policia, se është ngjarja e katërt rresht që themi vetëm që ngjarja ishte e mirëorganizuar. A thua ngjarjet e tjera “që janë organizuar keq”, janë të vetmet që mund të zbardhen duke gjetur fajtorë.

I mbyll të gjitha njeriu, del njëherë jashtë shtëpisë, ikën si me stil nga marketi ku ka emrin në listë, e shikon një mikun e tij përballë që është duke folur me vete. Ndërkohë që afrohen, miku vazhdon të flasë, ndërsa njeriu “ynë” nuk e ka vënë re veten, që është duke folur po me vete, për shkakun përse miku i tij po flet me vete. I shkreti- tha me zë dhe as i foli fare, por ndërroi trotuar, e vazhdoi të fliste…vazhdoi rrugën desha të them.

/Descript.al-Paracetamoli/