Maas: Gjermania është kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan

46

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka përsëritur se Gjermania kundërshton çdo ide apo propozim për ndryshim të kufijve në rajon.

Shefi i diplomacisë gjermane ka thënë se çdo ndryshim i kufijve, kudo, do të ketë një ndikim në të gjithë rajonin dhe do të ketë pasoja negative për të gjithë rajonin.

 

“Këtë në të kaluarën e kemi refuzuar, edhe tani e hedhim poshtë, edhe në të ardhmen do ta refuzojmë plotësisht”, ka deklaruar Maas.

 

Pas një takimi që ka pasur me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, diplomati gjermani kkmentoi gjithashtu dokumentin non-paper të bërë publik në Kosovë.

 

“Ky është një dokument non-paper, jo një dokument zyrtar. Ne nuk kemi nevojë të merremi më tej me të. Nuk ka pjesëmarrje të Gjermanisë, në ndonjë non-paper, nëse ka zëra për këtë, ato janë lajme të rreme. Për politikën e jashtme gjermane, baza e politikës sonë për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë që ne të mos ndërhyjmë në kufij”, ka deklaruar Maas.

Gjithashtu, diplomati gjerman ka deklaruar se Berlini angazhohet që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të mos ndahen, por t’i fillojnë paralelisht negociatat për anëtarësim në BE.