Manjani ka një paralajmërim të rëndësishëm dhe tregon kush fshihet pas ekzekutimeve kriminale në vendin tonë

787

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka komentuar vrasjet që kanë tronditur ditët e fundit vendin tonë.

Manjani shprehet se tashmë këto ngjarje të rënda janë bërë rutinë në vendin tonë dhe këtë e sheh të lidhur me trafiqet e drogës, ardhjen e emigrantëve dhe politizimin e shtetit.

“Nuk mendoj se ka një situatë të rënduar, është një situatë rutinë tashmë, normale. Vrasjet për larje hesapesh, ekzekutime të tipit mafioz por bëhen rutinë, u bënë vite kështu. Në momentin që flasim janë tre rrethana që disi e favorizojnë ose e bëjnë më të spikatuar situatën. E para intensiteti i ngjarjeve është shumë i ngjeshur në pak ditë. Vetëm në tre ditët e fundit kemi ngjarje të rënda. Elbasani, Vlora, Korça dhe Durrësi janë qytete në të cilat në thelb dominon krimi i organizuar. Gjithë ajo sasi droge që ka lëvizur dhe lëviz në gjithë këto vite në Shqipëri këtë pasojë ka për fat të keq. Rrethana e dytë është që gjithmonë sapo fillon sezoni i verës apo kur fillojnë të dynden shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë në Shqipëri kriminaliteti shtohet, mesa duket larja e hesapeve është më e kollajtë në Shqipëri sesa jashtë Shqipërisë. Dhe së treti jetojmë në një realitet ku shteti është i gjithi politik dhe politika është që të stimulojë larjen e hesapeve.”, u shpreh Manjani.

Gjithashtu ish-ministri thotë se për sa kohë urdhri politik është që  “kokat hënshkin”, policia është e pafuqishme.

“Policia bën atë që ka bërë gjithmonë, jep lajmet. Edhe ato ka filluar ti japë me rezervë, duhet të gërmosh shumë që të marrësh ndonjë lajm. Në kuptimin e parandalimit të gjësë, policia është vite dritë larg. Ka shumë ngjarje të pazbardhura, vrasje me pagesë. Ravik Gurrën (avokati i ndjerë) kush e vrau në Elbasan?  Shpërthime me tritol apo djegie makinash. Shteti politik duke mos i ndarë funksionet, duke mos i ndarë punët krijohet një mish-mash dhe çdo gjë lëviz me urdhër politik. Po nëse urdhri politik është që  “kokat hënshkin”, çfarë do bëjë policia?”, u shpreh Manjani.