Mara dhe Dona, binjaket argjentinase që mbajnë emrin e Maradonës

133

Legjenda e futbollit në botë, Diego Maradona, që e çoi Argjentinën në lavdinë e Kupës së Botës, frymëzoi mbështetjen e zjarrtë përmes magjisë së tij në fushë dhe karizmës së tij jashtë saj

Maradona ndërroi jetë nga një sulm në zemër të mërkurën, por do të mbahet mend për talentin e tij në fushë.

Mijëra fansa morën pjesë në homazhet e zhvilluara për të.

Një nga fansat e tij ka folur për Reuters, duke treguar se vajzat e tij binjake mbajnë emrin e Maradonës.

Njëra quhet, Mara dhe tjetra Dona.

Vendosja e emrit të binjakeve nuk ishte kurrë në dyshim, tha babai i tyre, Walter Rotundo, i cili ka një tatuazh të Maradonës në shpinë dhe tregon me krenari një fotografi të yllit të futbollit që mban një foto të dy vajzave kur ishin foshnje.

Walter tha se vendimi mbi emrat e tyre u mor në Kupën e Botës 1990 kur ai pa Maradonën të qante pasi humbi finalen 1-0 ndaj Gjermanisë. Ai i tha gruas së tij, Stella Maris Prez, herën e parë që u takuan se një ditë do të kishin dy vajza, të cilave do t’i vendoste emrin e yllit të futbollit.

Maradona ka pothuajse statusin e kultit në Argjentinë, ku pseudonimi i tij “D10S” është një lojë e fjalës spanjolle për “Zot” dhe bluza e tij e famshme me numër 10. Mara dhe Dona kanë fanellat e tyre të Argjentinës me numrin dhe emrat e tyre.

Mara, vetëm një minutë më e madhe se motra e saj, tha se e donte emrin e saj dhe historinë e tij.

“Më duket shumë bukur ta kem këtë emër dhe ajo që më pëlqen më shumë tek ky emër është të di historinë e tij. Ndjej që ky emër është i mrekullueshëm ”, tha ajo.

Dona tha se vdekja e Maradonës kishte ardhur si një tronditje.

“Nuk mund të besoj se ai vdiq ose pse vdiq”, tha ajo. “Ai ishte një njeri shumë i mirë, nuk e meritonte këtë.”

Duket se në familjen Rotundo në Buenos Aires, shpirti i Diego Maradonës do të mbetet i gjallë.