Më kë do të bëhet Bamir Topi?

513

Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi pas dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Fryma e Re Demokratike e ka lënë pezull angazhimin e tij politik.

Megjithëse se Fryma e Re Demokratike nën drejtimin tashmë të Sali Shehut iu bashkua listës së koalicionit opozitar me në krye Partinë Demokratike Bamir Topi ka mbetur jashtë angazhimit politik sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Bamir Topi është një nga emrat me peshë në të djathtën shqiptare, ku pas largimit të tij nga Partia Demokratike e djathta mori jo pak goditje dhe me largimin e Jozefina Topallit e Astrit Patozit të cilët kanë krijuar secili partinë e tyre, ku do të garojnë në këto zgjedhje.

Ish-presidenti Bamir Topi ka qenë një ndër figurat e larta të Partisë Demokratike, ku pas vitit 2005 kur Berisha mori pushtetin, ai do të zgjidhej president i vendit nga mazhoranca e djathtë.

Por marrëdhëniet mes Berishës dhe Topit filluan të krisen, të cilat kulmuan me ngjarjen e 21 janarit.

Teksa mandati i tij në presidencë perëndoi, Topi krijoi Frymën e Re Demokratike. Ai garoi në zgjedhjet e vitit 2013 kur nuk arriti të merrte as edhe një mandat deputeti.

Në vitin 2015 Topi u afrua me Edi Ramën ku bashkëpunoi me Partinë Socialiste për zgjedhjet lokale.

Megjithatë, Fryma e Re Demokratike është një forcë politike e cila ka pësuar rrjedhje, ku  disa prej figurave të njohura si Gazment Oketa dhe Aleksandër Biberaj janë larguar nga radhët e saj.

Bamir Topi ka qenë një figurë që është përplasur shpesh, jo vetëm me Sali Berishën, por edhe me kryedemokratin Basha por edhe me kryeministrin Rama.

Madje për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili pretendon të bëhet kryeministër i vendit, Bamir Topi kishte edhe një parashikim; se Basha mund ta shihte vetëm në ëndërr postin e kryeministrit.

Shkencërisht kam kuptuar që kurrsesi nuk mund të shohësh një ëndërr, që sheh dikush tjetër”, do të shprehej ai në 14 janar të vitit 2017 për gazetën Tema.

Megjithatë, partia të cilën ai e ka drejtuar prej disa vitesh nuk ka të njëjtin mendim me Bamir Topin, pasi Fryma e Re Demokratike iu bashkua listës së koalicionit opozitar me në krye Partinë Demokratike dhe me qëllimin që Basha të bëhet kryeministër.

Nisur nga kjo lëvizje politike u duk se Bamir Topi do të bënte një prapaktheu aty ku nisi karrierën e vet politike në selinë blu dhe nga ku u largua mes shumë përplasjesh e konfliktesh brenda Partisë Demokratike veçanërisht me liderin e saj historik, Sali Berishën.

Por, Topi nuk ka reaguar publikisht për këtë lëvizje të Frymës së Re Demokratike.

Për këtë arsye Descript.al i kërkoi  z. Topi, një prononcim: “Z. Topi ju keni dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Fryma e re Demokratike, ndërkohë që kjo forcë politike iu bashkua Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. A është kjo një lëvizje juaj politike për t’u angazhuar pas zgjedhjeve dhe a do të jeni pjesë e qeverisë që do të krijohet pas 25 prillit, qoftë e kryeministrit Rama apo e kreut të PD-së Lulzim Basha nëse ky i fundit do të bëhet kryeministër?”

Kësaj pyetjeje, Topi nuk pranoi t’i përgjigjej, duke theksuar shkurt se ‘nuk ka përgjigje”. Në këtë mënyrë, pritet të shihet se ç’do të ndodhë pas 25 prillit, se me kë do të bëhet Bamir Topi./Descript.al/