Merkel paralajmëron për valën e tretë nëse Gjermania nuk hapet me kujdes

55

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar për një valë të tretë të rasteve Covid-19 nëse Gjermania nis rihapjen e vendit në mënyrë të gabuar, raporton CNN.

“Ne duhet të veprojmë me mençuri dhe kujdes tani që vala e tretë të mos kërkojë një mbyllje të re të plotë në të gjithë Gjermaninë,” tha Merkel në një intervistë me gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Kancelarja paralajmëroi kundër hapjes së vendit shumë shpejt pasi mutacioni britanik, i cili besohet të jetë më i transmetueshëm se lloji origjinal i virusit, po përhapet në Gjermani.

Agjencia gjermane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, Instituti Robert Koch (RKI), regjistroi një shtesë 11,869 raste në njëzet e katër orët e fundit në vend, duke e çuar totalin në 2,414,687.

Numri i të vdekurve nga Covid-19 në Gjermani tani qëndron në 69,125.

Shkalla e incidencës mbetet e njëjtë me 61.7 raste për 100,000 banorë, sipas RKI. Qëllimi është që niveli i incidencës të arrihet në 35 për 100,000 në mënyrë që të rihapet vendi, ka thënë Merkel.

Ky artikull është i shkruar nga gazetarët e Descript.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Descript.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.